×
  • Lajme
  • Lajme

    Reuters: Serbia “keqpërdori” ligjet për pastrim parash për të shënjestruar kritikët

    Insajderi
    06 August 2021 - 20:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Agjencia e lajmeve Reuters thotë se Serbia ishte një nga pesë vendet që ka përdorur ligjet e miratuara për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit për t’i detyruar bankat të dorëzojnë të dhëna për gazetarë, OJQ dhe avokatë që kritikojnë qeverinë.

    Serbia është ndër disa vende që kanë keqpërdorur legjislacionin e miratuar për të përmbushur detyrat e Task Forcës për Veprimet Financiare, FATF, për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, për të hetuar zëra kritikë dhe OJQ, raportoi Reuters të enjten.

    Sipas Reuters, në Ugandë, Serbi, Indi, Tanzani dhe Nigeri, legjislacioni “u përdor nga autoritetet për të hetuar gazetarë, punonjës OJQ-sh dhe avokatë”.

    “Nëpërmjet vlerësimit të vazhdueshëm të masave të vendeve, FATF luan një rol pak të njohur, por kyç në formësimin e legjislacionit të krimit financiar dhe në diktimin e përparësive të qeverisë përsa i takon sigurisë”, shpjegoi agjencia e lajmeve. “Në të gjithë globin, ajo ka forcuar ligjet për të goditur pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.”

    “Por duke i bërë presion vendeve me korniza të dobëta demokratike që të miratojnë dhe forcojnë ligje të tilla, FATF u ka dhënë pa dashje një instrument të ri ligjor qeverive autoritare, sipas një duzine studiuesish në organizata dhe grupe të të drejtave të njeriut”, shtoi ajo.

    Reuters citoi Tom Keatinge, drejtor i Qendrës për Krimin Financiar në Institutin e Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore në Londër, duke thënë se standardet e FATF “jo vetëm që po keqkuptohen gjithnjë e më shumë, por po abuzohen me qëllim”.

    Kur bëhet fjalë për Serbinë, Reuters kujtoi një kërkesë që Administrata për Parandalimin e Pastrimit të Parave e Ministrisë së Financave u bëri bankave në korrik 2020.

    Kjo do të siguronte “të dhëna klientësh për rreth 50 OJQ dhe media të njohura për kritika ndaj atij që ata e konsiderojnë si një sundim gjithnjë e më autokrat i presidentit Aleksandër Vuçiç”. Lista përfshinte Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN, dhe disa punonjës të BIRN.

    Reuters më tej raportoi se, “pasi rrodhën lajmet për këtë kërkesë, ministri i financave Sinisa Mali tha për një kanal televiziv lokal se njësia e inteligjencës “po bënte punën e saj” dhe kërkimi i të dhënave nuk duhet të jenë problem për objektivat “nëse nuk fshihet asgjë”.

    Asnjë person nuk është akuzuar deri më tani si rezultat i këtyre hetimeve, raportoi Reuters.

    Reuters raportoi se Maja Stojanoviç, drejtoreshë e Iniciativave Qytetare e Serbisë, e cila u përmend në letër, tha për agjencinë e lajmeve se ajo beson se qeveria serbe po i përdor të dhënat për fushata shpifëse për të minuar punën e OJQ-ve.

    “Kur Stojanoviç dhe OJQ të tjera në shënjestër u konsultuan me bankat në lidhje me kërkesat, bankat thanë se nuk mund të zbulonin se çfarë informacioni kishin ndarë me autoritetet”, raportoi agjencia e lajmeve.

    Reuters tha se i kërkoi tre prej bankave, Banca Intesa Beograd, OTP banka Srbija dhe Erste Group Bank, të komentonin, por të gjitha refuzuan ta bënin këtë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark