Revista kulturore shqiptare “Symbol” i është bashkëngjitur rrjetit Eurozine. E themeluar në vitin 2013, revista botohet në Prishtinë dhe shpërndahet në kryeqytetet e Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Stafi i revistës vjen prej këtyre tri shteteve.
Kryeredaktori, Ag Apolloni, e udhëheq stafin, i cili përbëhet edhe nga emra të njohur si poeti Agron Tufa nga Shqipëria, profesoresha Albulena Blakaj, profesori Ibrahim Berisha dhe përkthyesit Orjela Stafasani dhe Sherif Luzha. Revista “Symbol” botohet nga Shtëpia Botuese “OM”.
E menduar si një urë mes kulturash dhe një hapësirë ku artistë të ndryshëm shfaqin vizionet e tyre, “Symbol” përfshin shkrime për letërsinë, teatrin, filmin, muzikën, mediet dhe artet në përgjithësi.
Numri i parë i kësaj reviste ka hedhur themelet për numrat e mëvonshëm, duke filluar me teoricienen Linda Hutcheon, e cila u është përgjigjur pyetjeve thelbësore për kohën tonë, duke sugjeruar që postmodernizmi po shkon drejt fundit dhe se ne jemi në prag të diçkaje të re. Artikujt e tjerë janë për Gottfried Helnwein, Michel Foucault etj., si dhe prozë, poezi dhe dramë.
Ueb-sajti i revistës “Symbol” ka qasje të plotë dhe të hapur për të gjithë numrat e kësaj reviste, dhe çdo numër përmban shkrime shqip dhe anglisht.
Eurozine, me qendër në Vjenë, është rrjet evropian i revistave kulturore kryesore të Evropës. Duke ofruar një pasqyrë të mbarë Evropës, me tema dhe diskutime aktuale, Eurozine ofron një burim të pasur të informacionit për lexuesit ndërkombëtarë dhe lehtëson komunikimin dhe shkëmbimin midis vetë revistave. Duke paraqitur artikujt më të mirë nga partnerët e saj dhe vendet e tyre, si dhe tekstet origjinale për çështjet më të ngutshme të kohës sonë, Eurozine hap një hapësirë të re për debat ndërkombëtar./Insajderi.com