
Parfumet, pijet alkoolike dhe shishet do të lejohen sërish në çanta dhe mini-valixhet e dorës, ato që pasagjerët i marrin me vete deri në sedilje dhe i vendosin në bagazhet sipër kokës në avion. Mediat italiane e cilësojnë këtë si një revolucion të vërtetë për pasagjerët, ndërsa njoftojnë se kjo do të bëhet e mundur në aeroportet kryesore evropiane.
Falë teknologjisë së re të skanerëve, tani do të lejohet që produktet si kremi mbrojtës nga dielli dhe pijet alkoolike të transportohen në bagazhin e dorës pa kufizimin prej 100 mililitrash.
Miratimi përfundimtar për këtë rregull pritet gjatë kësaj vere, me shumë mundësi mes fundit të korrikut dhe gushtit. Drita jeshile për këtë ndryshim do të jepet pas përfundimit të kontrolleve teknike dhe miratimit të algoritmit të përditësuar, i cili pritet të vijë nga Konferenca Evropiane e Aviacionit Civil.