
Rezidenca e ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, është përfshirë në listën e Trashëgimisë Kulturore për mbrojtje të përkohshme për siç thuhet për shkak të vlerave historike.
Këtë e ka bërë të ditur vetë ministri Kulturës, Kujtim Shala, sipas të cilit kjo ndërtesë ka vlerë të jashtëzakonshme nacionale dhe si e tillë do ta ketë përkujdesjen dhe mbështetjen e Institucioneve të Kosovës.
Ministri Shala ka qëndruar sot në këtë rezidencë ku është pritur nga familjarët e ish-presidentit Rugova. Ai tha se brenda “Rezidencës së Presidentit dr. Ibrahim Rugova” ruhen vlera të shquara historike, artistike e politike, të cilat presidenti i kultivonte me shije e kulturë, ndaj ato duhet të jenë të hapura për vizitorë.
Fane Rugova, gruaja e Presidentit ish- presidentit Ibrahim Rugova, duke falënderuar ministrin Shala, ka theksuar se kjo ndërtesë i duhet Kosovës, ndaj edhe duhet të jetë e hapur për publikun.
Vendimi për të përfshirë “Rezidencën e Presidentit dr. Ibrahim Rugova” në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme është marrë duke u bazuar në kërkesën e Familjes Rugova drejtuar Departamentit të Trashëgimisë Kulturore dhe Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Prishtinës.
Në këtë ndërtesë, nga viti 1993 është vendosur Presidenti Rugova me familjen e tij dhe deri në janar të vitit 2006 ka zhvilluar veprimtarinë e tij zyrtare shtet-formuese për Kosovën./Insajderi.com