×
  • Lajme
  • Analiza

    “Rezultati ishte pozitiv përtej pritshmërive”, “Vetëqeverisja për serbët ishte e rëndësishme”, Tromp dhe Biserko flasin për Insajderin rreth marrëveshjes

    Insajderi
    19 March 2023 - 16:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Niveli i duhur i qeverisjes për komunitetin serb në Kosovë ishte i një rëndësie supreme për qeverinë kosovare në rregullimin e marrëdhënieve të saj me komunitetin dhe partitë politike serbe”, thotë për Insajderin studiuesja dhe profesoresha në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp, pyetur se si e vlerëson pajtimin e djeshëm në Ohër ku Kosova zotohet “të nis menjëherë” zbatimin e Nenit 7 të Marrëveshjes Bazë në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të Dialogut (ku përfshihet Asociacioni i Komunave të banura me shumicë serbe).

    Tromp e cila kaherë e kishte marrë për fakt të kryer se çështje e Asociacionit do të bëhej “me doemos”, vështrimin e hedh ka pala serbe, përkatësisht Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ende nuk ka vendosur nënshkrim (dhe që thotë se s’do të vë) mbi marrëveshjen.

    “Vuçiq është nën presion madhor nga partitë politike edhe elitat intelektuale serbe dhe është krejtësisht i shtangur se nënshkrimi i tij mbi këtë plan do të ishte nënshkrimi historik se Serbia HUMBI Kosovën”, thotë Tromp, derisa shton edhe se në Serbi “ai rrezikon të bëhet Vuk Brankoviqi modern, tradhtari”, me këtë duke nënkuptuar figurën mitologjike mesjetare serbe i cili “u largua nga Beteja e Kosovës [1389] ku supozovisht tradhtoi Princ Llazarin”.

    Ndërkaq, Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko, rezultatin e takimeve trepalëshe në Ohër e merr për pozitive edhe përtej pritshmërive.

    “U tregua se BE dhe SHBA janë të vendosura për të mbyllur mosmarrëveshjen ballkanike mbi territoret. Nëse zbatimi shkon siç është planifikuar, kjo do të thotë se po krijohet paradigma e re që hap perspektivën evropiane. Do të thotë gjithashtu se i gjithë Ballkani është tani nën ombrellën e BE-së dhe NATO-s. Është një ombrellë paqeje veçanërisht duke pasur parasysh kontekstin ndërkombëtar”, tha Sonja Biserko për Insajderin.

    “Nuk do të shkojë pa probleme në Serbi, sepse Rusia ende mund ta dëmtojë procesin përmes grupeve dhe partive pro ruse, duke përfshirë edhe ato të pushtetit. Megjithatë, kjo marrëveshje është thelbësore për të ardhmen e regjionit. Thënë këtë, do të ketë shumë sfida sepse rajoni ka humbur potencialin e tij njerëzor për reforma. Është e një rëndësie kyçe që procesi të mbikëqyret nga BE-ja dhe ne si një garanci për qëndrueshmërinë e tij”, përfundon Sonja Biserko.

    Çfarë u pajtua në Ohër?

    “Kur them menjëherë them menjëherë, Kosova nis zbatimin e menjëhershëm të Nenit 7 për themelimin e aranzhimeve specifike dhe garancioneve për të siguruar një nivel të duhur vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë”. Kështu u kujdes t’ia vendos theksin zotimit të palës kosovare për të zbatuar Nenin 7 të Plan-Propozimit të Bashkimit

    Evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pikë kjo e cila me t’u shfaqur ky tekst në publik është perceptuar si më e pagëlltitshmja në marrëveshjen 11 pikëshe të BE-së, shkruan Insajderi.

    Borrell tha se “jam i lumtur të njoftoj” se palët kanë arritur marrëveshje rreth Aneksit të Zbatimit të Marrëveshjes pas 12 orësh negociata, derisa tregoi se çfarë ka pranuar Kosova specifikisht të zbatojë “menjëherë”.

    “Për të zbatuar Nenin 7 të marrëveshjes Kosova është pajtuar që menjëherë të nis, dhe kur them menjëherë them menjëherë, negociatat me Dialogun e Fascilituar nga BE në themelimin e aranzhimeve specifike dhe garancioneve për të siguruar një nivel të duhur vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë”, tha Josep Borrell para gazetarëve.

    Deklarimi i Borrell:

    Objektivi i sotëm ishte për Kosovën dhe Serbinë të pajtohen se si të zbatojnë marrëveshjen e pranuar më 27 shkurt në Bruksel.

    Marrëveshja u arrit në fund të shkurtit, por sot çështja ishte të pajtohemi se si të zbatohet ajo.

    Kjo do të thotë, hapat praktikë mbi atë se çfarë duhet të bëhet, kur të bëhet, nga kush dhe si.

    Shpesh thuhet që djalli është në detaje, epo nganjëherë djalli është në kalendar. Në afatet, kohën. Për 12 orë këtë e kemi biseduar. Jam i lumtur të njoftoj se më në fund pas 12 orëve kemi një ujdi se si ta bëjmë.

    Pra, mund të lajmëroj se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes. Si pjesë të këtij Aneksi palët janë zotuar të përmbushin të gjitha Nenet dhe të zbatojnë të gjitha obligimet përkatëse në mirëbesim.

    Kjo vendosmëri vjen pas negociatave të gjata dhe të vështira. Nuk dua të fsheh këtë. 12 orë duke argumentuar. Më lejoni të përqendrohem në disa prej pikave të veçanta.

    Për të zbatuar Nenin 7 të marrëveshjes Kosova është pajtuar që menjëherë të nis, dhe kur them menjëherë them menjëherë, negociatat me Dialogun e Fascilituar nga BE në themelimin e aranzhimeve specifike dhe garancioneve për të siguruar një nivel të duhur vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë.

    Palët gjithashtu u pajtuan për deklaratën rreth Personave të Pagjetur e negocuar në dialogun e BE-së si çështje urgjente. Ne propuuam një aneks më ambicion dhe më të detajuar. Fatkeqësisht palët nuk mundën të pajtohen rreth këtij plani të detajuar.

    Kjo në njërën anë, mendoj unë, sepse Kosovës i mungoi fleksibiliteti mbi substancën, dhe në anën tjetër sepse në parimet e deklaruara të Serbisë ata kërkuan të mos nënshkruajnë, edhe pse ishin plotësisht gati ta pranojnë./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark