Prokuroria Speciale është duke e intervistuar biznesmenin e afërt me kryeministrin Kurti, Ridvan Muharremin.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar avokatin e tij, Mahmut Halimi për të kuptuar se në çfarë cilësie e për cilin rast po intervistohet, por i njëjti është qasur në mënyrë arrogante duke mos dhënë përgjigje.
“Lemë rehat pashë zotin, s’mundesh me ditë kurgjo”, tha ai duke e mbyllur telefonin.
Vitin e kaluar biznesmeni Muharremi u arrestua nën keqpërdorim të rezervave shtetërore, ndërkohe pastaj iu ngrit aktakuzë për “Vjedhje të shërbimeve”.
Theksojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj Muharremit për shkak të veprës penale “Vjedhje e shërbimeve” pasi që në furrën “Bukë e Zemër”, i njëjti e kishte shfrytëzuar njehësorët e energjisë elektrike pa autorizim të KEDS-it.
Kërkesa për hudhje të aktakuzës i ishte refuzuar.
“Refuzohet kërkesa për hedhje të aktakuzës, e paraqitur nga i pandehuri R.M e ushtruar kundër aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, …. të datës, 05.08.2023, si e pa bazuar”, thuhej në vendimin e Themelores.
Në vendimin e Themelores, thuhet se mbrojtësi i të akuzuarit Muharremi, avokati Mahmut Halimi brenda afatit ligjor ka parashtruar kërkesë për hudhje të aktakuzës, me pretendimin se njehësori elektrik i vendosur në biznesin e tij ishte i bllombuar dhe i paprekur nga askush.
Mbi këto arsye, avokati Halimi ka kërkuar që të hudhet aktakuza pasi që nuk është arritur që të vërtetohet dashja e të mbrojturit të tij për kryerjen e veprës penale “Vjedhje e shërbimeve”.
Pas analizimit të kërkesës së avokatit Halimi dhe përgjigjes në ankesë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Themelorja ka ardhur në përfundimin se duhet që të lëshohen në shqyrtim gjyqësor dhe pas administrimit të provave, do të vërtetohet fajësia ose pafajësia e të akuzuarit Muharremi.