Riformatimi i Qeverisë së Kosovës, i cili do ta përfshinte edhe zvogëlimin e ministrive, do t’ia kursente buxhetit të shtetit 3.6 milionë euro brenda një mandati.
Institutit GAP thotë se numri i ministrive do të duhej të zvogëlohej nga 19 sa është tani në 13 gjithsej.
E përderisa në Kosovë aktualisht ka 19 ministri, dy prej tyre (ajo e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe Ministria e Integrimit Evropian) tanimë “funksionojnë” pa ministra. Gjersa njohës të çështjeve politike kërkojnë riformatim të Qeverisë dhe shuarjen e disa prej këtyre ministrive, përfaqësues të Qeverisë thonë se riformatimi do të ndodhë, mirëpo ende nuk është caktuar se kur saktë do të fillojë një proces i tillë, shkruan Zëri.
Sipas Qeverisë, riformatimi do të vijë si rezultat i pajtimit të partnerëve të koalicionit PDK-LDK. Mirëpo, partitë opozitare bashkë me analistët politikë nuk shohin vullnet të Qeverisë për ta ndërmarrë një hap të tillë, sado që, sipas tyre, është mjaft i nevojshëm. Kjo pasi, ashtu si ata kanë deklaruar, partitë në pushtet i kanë sistemuar dhe po i sistemojnë akoma njerëzit e tyre partiakë nëpër këto ministri.