Prandaj është me rëndësi që partitë të nxjerrin mësime nga humbja politike. Por humbja nuk është gjithmonë humbje, ajo ne vetvete ngërthen një moment reflektimi dhe nxit forcën për ringritje, forcën për te rishikuar vetveten, forcën për tu çliruar nga egocentrizmi, forcën për të mos pranuar për të qenë të parët pa meritë, por për më shumë, ngërthenë në vete forcën për të punuar para së gjithash, jo për veten, por për qytetarin.
Ismet Hajrullahu
Përse në partitë politike nuk ka rotacione elitash, dhe pse i rezistojnë me çdo kusht reformimit dhe transparencës ndaj anëtarësisë dhe strukturave bazë, qe nga nën-dega e deri në qendër?
Nga kush apo nga çfarë po tremben, kur të gjithë, e sidomos vetë ata e dine se një reforme e brendshme do nxiste dhe prodhonte një zhvillim demokratik brenda partisë? Padyshim që reformat marrin kohë, dhe për më shumë kërkojnë vizion e strategji se si të arrihet rikrijimi i nevojshëm.
Katërmbëdhjetë shkurti i dha shumicës se partive një leksion të rëndësishëm për reformat e domosdoshme që duhen ndërmarrë sa ma parë, me qëllim që t’i përshtaten nevojave të qytetarëve, duke dëgjuar më shumë, e natyrish duke urdhëruar më pak. Reformat partiake të cilat bëhen duke përcjellë me vëmendje lëvizjet e elektoratit, janë të shëndosha dhe prodhojnë sjellje institucionale dhe vendimmarrje të shtrirë mbi një bazë të gjerë përfaqësuese dhe konsultuese, duke filluar nga niveli i nëndegëve, degëve dhe qendrës.
Mungesa për një kohë të gjatë e reformave, në anën tjetër, bën qe partitë politike të mos përputhen në kontekst të organizimit me partitë simotra ne shtetet e Bashkimit Evropian, si dhe rezistenca ndaj reformës nga poshtë-larte dhe nga të asaj lartë-poshtë, dobëson strukturat qendrore të partive, gjë e cila reflektohet më pas natyrshëm edhe në të gjitha nivelet e strukturave të tjera partiake.
Por mbi të gjitha, mungesa e reformave të thella, eventualisht shkakton edhe humbje të thella si këto të fundit. Pavarësisht organizimit të zgjedhjeve të brendshme partiake, fiktiviteti i cili i përcjellë zakonisht këto procese, rezulton më pas në zgjedhje fiktive dhe vendimmarrje jo transparente përpara anëtarësisë se partisë, dhe përfundimisht në një keq-udhëheqje nga kryetarët, të cilët si mbulesë, për vendimet e gabuara, përdorin kryesitë dhe shpesh edhe këshillat drejtuese.
Kjo qasje dhe mungese e llogaridhënies, cënon demokracinë e brendshme të partive në të gjitha strukturat, duke shkaktuar mungese të transparencës, dhe një konfuzion, i cili nga partia natyrisht përçohet edhe në elektorat. Ndërkaq, partitë të cilat udhëhiqen nga kjo logjike e vjetruar, e po thuajse gati komuniste e organizimeve të brendshme, eventualisht për shkak të pushtetit absolut të brendshëm, perceptohen, apo për më keq shndërrohen ne parti me udhëheqje thuajse “diktatoriale”.
Por ndërkohë që ka një pushtet absolut të individëve të caktuar përbrenda partive, kjo përcillet me anashkalim dhe dobësim të thellë të strukturave partiake, e që padyshim ndikon negativisht dhe dobëson edhe cilësinë e vetë partisë. Kësisoj, dështimet e jashtme të partive, vijnë thuajse gjithmonë si rezultat i dështimeve të brendshme të tyre.
Prandaj edhe mbetet jetike dhe emergjente nevoja për reformimin e partive politike, e sidomos reformimi tërësor i statuteve dhe përputhshmërisë së tyre me parimet e një organizimi demokratik, de jure por edhe de facto.
Ndërkohë që, po aq e rëndësishme, mbetet edhe llogaridhënia dhe transparenca financiare e brendshme dhe ndarja proporcionale e financave sipas nevojave reale të strukturave. Ndërtimi dhe kultivimi i një qasjeje të tillë, pashmangshëm do ndryshonte edhe perceptimin e elektoratit sa i përket vendimmarrjes, por edhe punës së partive në terren.
Ndryshimi i perceptimit ndërkaq është hapi tjetër drejt fuqizimit dhe rindërtimit te besimit të humbur me një elektorat të dëshpëruar dhe tradhtuar.
Por qytetari di edhe të falë, mirëpo vetëm atëherë kur partitë nuk sillen si monarkë, por përkundrazi bëhen një me të. Siç është thënë edhe nga Konrad Adenauer, padyshim se të gjitha mendimet dhe i tërë veprimi i njeriut shpeshherë varet nga koha dhe u nënshtrohet ndryshimeve. Por, nëse formojmë parti politike, e cila u përmbahet kërkesave të cilat i dikton koha, atëherë partia e tillë do të jetë sterile dhe jetëshkurtër. Veçanërisht partitë ose, thënë më mirë, sidomos partitë politike në qoftë se dëshirojnë të mbijetojnë, duhet të ndërtohen në thellësi.
Ato duhet të bazohen në vlera të përjetshme. Me këtë kuptohet se, përveç ndjekjes së trendeve politike, të cilat duhet të inkorporohen në vazhdimësi në kuadër të programeve dhe ofertave politike, qëndrueshmëria e një partie sigurohet nga qendrueshmëria e vlerave që ajo ka përqafuar e që përfaqëson.
Nëse me programe mund të eksperimentohet deri diku, ideologjia e një partie mbetet bërthama e saj, e cila nuk mund të tolerojë në aftagjatë, bashkim të bindjeve të kunderta nga vlerat të cilat e kanë bashkuar atë në rradhë të parë. Çdo devijim nga vlerat është vetëm oportunizëm politik, i cili nuk garanton qëndrueshmëri dhe jetëgjatësi të një funksionimi të shëndoshë të partive politike.
E si gëshnjeshtra, ashtu edhe opurtunizmi politik, që të dyja i kanë këmbët e shkrurta! Prandaj është me rëndësi që partitë të nxjerrin mësime nga humbja politike.
Por humbja nuk është gjithmonë humbje, ajo ne vetvete ngërthen një moment reflektimi dhe nxit forcën për ringritje, forcën për te rishikuar vetveten, forcën për tu çliruar nga egocentrizmi, forcën për të mos pranuar për të qenë të parët pa meritë, por për më shumë, ngërthenë në vete forcën për të punuar para së gjithash, jo për veten, por për qytetarin.