“Microsoft” ka publikuar “Windows 10S”, një version të ri të sistemit të tij operativ, të orientuar drejt laptopëve me kosto të ulët për studentët, ndërsa përpiqet të konkurrojë sistemin operativ të “Google Chrome”, “ChromeOS”.
Kompania tha se laptopët “Surface”, me “Windows 10S” të integruar, do të kenë një çmim prej 999 dollarësh dhe do të jenë të disponueshëm për porosi duke filluar nga sot.
Versioni i ri i sistemit operativ vjen disa ditë pasi “Microsoft” publikoi bilancin e tremujorit të parë, që ishte nën vlerësimet e “Wall Street”-it, pasi shitjet e tabletëve dhe laptopëve “Surface” shënuan rënie përballë konkurrencës së madhe.
“Windows 10S” është i përshtatshëm edhe për telefonat celularë dhe desktopët, si dhe ka një aplikacion të thjeshtë hyrjeje, që iu mundëson shkollave të kenë qasje në çdo aparat në pak çaste.
“Microsoft” tha se ishte lidhur edhe me kompani si “Acer”, “ASUS”, “Dell”, “Futijsu”, “Toshiba”, “HP” dhe “Samsung” për të ofruar një varg kompjuterash me “Windows 10S” për studentët, me një çmim që fillon nga 189 dollarë.