Festivali më jetëgjatë i këngës në botë kulmon këtë javë në Stokholm.
Herë i dashur e herë i neveritshëm, por gjithmonë i shikuar nga miliona njerëz, Eurovizioni mbetet shumë popullor.
Si një ngjarje me përmasa luksoze, Eurvizioni është kritikuar për performancat kiç dhe për një sistem të votimit që rrezikon të lejojë politikën të triumfojë mbi meritat artistike.
Por, shumëkush mund të befasohet kur kupton se Eurovizioni ka pasur dikur një homolog nga blloku komunist.
Në epokën e televizionit parasatelitor, rrjeti tokësor që lidhte vendet perëndimore dhe mundësonte transmetim të drejtpërdrejtë në shumë vende është bërë i njohur si Eurovizion.
Gara e këngës, me të njëjtin emër, është themeluar rreth fillimit të Luftës së Ftohtë, me synimin që të përafronte vendet perëndimore, duke përdorur teknologjinë e sapolindur televizive.
Ndërkohë, shtetet e bllokut sovjetik, që janë ndarë nga Unioni i Transmetuesve Evropianë (EBU) në vitin 1950, kanë formuar rrjetin e tyre televiziv në vitin 1961, duke e quajtur Intervizion. Funksioni i tij, për transmetime të drejtpërdrejta ndërmjet kufijve, ka qenë i ngjashëm me atë të Eurovizionit.
Tema muzikore e Eurovizionit është bërë markë e njohur jo vetëm në Perëndim, por edhe në bllokun sovjetik sepse luhej përpara transmetimit të lojërave ndërkombëtare të futbollit nga Perëndimi.
Pasi popullariteti i Eurovizionit është përhapur matanë Perdes së Hekurt, vendet e bllokut lindor kanë bërë përpjekje të krijojnë një garë të këngës në Evropën Lindore që do t’i ngjante Eurovizionit në format dhe në emër.
Intervizioni është themeluar në vitin 1977 në Sopot të Polonisë, duke zëvendësuar një festival të njohur ndërkombëtar, që mbahej që nga viti 1961 në qytetin Gdansk.
Intervizioni ka zgjedhur një logo dhe një temë muzikore për ta identifikuar dhe për ta dalluar nga Eurovizioni.
Por, në kohën kur Eurovizioni ishte bërë tashmë një fenomen në perëndim, duke ndryshuar vendin e organizimit nga viti në vit dhe duke përfshirë votimin me telefona nga publiku, Intervizioni kishte mbetur i mbërthyer në Sopot dhe organizohej me një teknologji të varfër.
Në vendet komuniste, ku sigurimi i linjës tokësore të telefonit do të thoshte dhënie ryshfeti ose qëndrim me vite në listë të pritjes, shikuesit ndiznin dritat kur pëlqenin një këngë dhe i fiknin kur nuk e pëlqenin. Pikët më pas i janë dhënë secilit garues në bazë të ngarkesës në rrjetin elektrik.
Por, Intervizioni ka qenë jetëshkurtër pasi interesimi për të ka rënë.
Ai ka marrë fund pas vetëm katër edicionesh, në vitin 1980.
Skenografia e dalë nga moda dhe stili ushtarak i prezantuesve të Intervizionit nuk kanë arritur të tërheqin spektatorë.
Disa e kanë lidhur dështimin e Intervizionit me rritjen e lëvizjes pro-demokratike Solidariteti në Poloni, e cila është cilësuar si kundër-revolucionare nga shtetet tjera të bllokut lindor.
Në anën tjetër, Eurovizioni ka vazhduar të rritet, duke ftuar pjesëmarrës nga shtetet e reja post-sovjetike. Gara e sivjetme, e 61-ta me radhë, do të transmetohet drejtpërdrejt në të 42 shtetet pjesëmarrëse. Shikuesit në Kinë, Kazakistan, Zelandë të Re dhe, për herë të parë, në Shtetet e Bashkuara do të mund ta ndjekin po ashtu Eurovizionin.
Në vitin 2009, udhëheqësi rus, Vladimir Putin, ka propozuar ringjalljen e Intervizionit, i cili do të përfshinte Rusinë, Kinën dhe republikat post-sovjetike në Azinë Qendrore.
Gati shtatë vjet më vonë, Intervizioni mbetet në pauzë dhe, me sa duket, viktimë e mungesës së njëjtë të vizionit./rel