×
  • Lajme
  • Lajme

    Rohde mbështet deklaratën e Hovenier: Kushtetuesja, i vetmi institucion që mund ta vlerësojë draft-statutin e Asociacionit

    Insajderi
    05 July 2024 - 08:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka mbështetur deklaratën Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, i cili deklaroi para dy ditësh se Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion që mund ta vlerësojë draft-statutin e Asociacionit.

    Rohde ka thënë se Kosovës nuk po i kërkohet implementimi i plotë i Asociacionit, por një hap të parë në këtë drejtim, e që është dërgimi i draft-statutit në Kushtetuese.

    “E kam thënë publikisht shumë herë…Ne nuk po kërkojmë implementim të plotë të Asociacionit. Ne po kërkojmë për hapin e parë të dukshëm. Dhe ky është dërgimi i draft-statutit te Gjykata Kushtetuese e juaj. Sepse, siç tha kolegu im amerikan dje, Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion në këtë planet, që ka kompetenca të kontrollojë këtë draft-statut, asnjë institucion tjetër. Nëse Kosova nuk e bën këtë, është lehtë për palën tjetër të thotë nuk bëjmë gjë. Sepse draft-statutin për Asociacionin është e vetmja gjë që Kosova duhet të bëjë”, ka thënë Rohde në një intervistë për Tëvë1.

    Ai ka thënë nëse një gjë e tillë nuk bëhet do të ketë pasoja për Kosovën dhe mosanëtarësimi në Këshillin e Evropës sipas tij është një.

    Kryeministri i Kosovës javë më parë kishte deklaruar se draft-statuti i BE-së për Asociacionin duhet të dërgohet në Komisionin e Venecias.

    Duke folur për këtë çështje, ambasadori Hovenier deklaroi të enjten se ShBA-ja pret nga Qeveria e Kosovës të ndërmarrë ndonjë veprim për ta dërguar draft-satutin në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se “kjo është zgjedhje e qeverisë”.

    Ai tha se ekziston vetëm një organ në planet që njëmend mund të vendosë nëse ky draft-statut është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, e që është Gjykata Kushtetuese.

    “Pra, ka status mjaft të rëndësishëm. Dhe siç i kemi thënë Kosovës, ne besojmë se është mjaft i mirë dhe është i mjaftueshëm që Kosova t’i përmbushë obligimet e saj duke e përdorur këtë draft. Kjo është shumë e fuqishme. Këto nuk janë vetëm një varg idesh të ndonjë organizate këshillëdhënëse. Pra, këshilla jonë më e mirë për qeverinë e Kosovës është të shfrytëzojë këtë mundësi për ta shtyrë përpara. Ekziston vetëm një organ në planet që njëmend mund të vendosë nëse ky draft-statut është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës – vetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, tha Hovenier.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark