
Nga: Bahri Beci
Historia e strukturës dialektore të shqipes është historia e popullit shqiptar. Thënë ndryshe historia e strukturës dialektore të shqipes është rezultat dhe pasqyrë e zhvillimeve historike të popullit shqiptar, nga bashkësitë fisnore, në bashkësitë fshatare dhe nga bashkësitë fshatare në marrëdhëniet feudale (shekujt VIII-XI) që u finalizuan me formimin e principatave feudale shqiptare (shekujt XIII-XIV).
Besoj se këtu duhet kërkuar edhe shkaku i formimit të njësive dialektore të shqipes.
Edhe albanologia ruse A. Desnickaja formimin e njësive dialektore e lidhte me organizimin e shoqërisë feudale. Sipas saj kanë ekzistuar dy modele të shoqërisë feudale, një model që karakterizohej nga prania e pronës shtetërore mbi tokën dhe e një territori të centralizuar shtetëror dhe një model i dytë që karakterizohej nga prania pronës së feudalëve mbi tokën dhe nga mbizotërimi i copëtimi feudal, që sillte veçimin dialektor.
Sipas saj, marrëdhëniet dialektore në Shqipëri janë zhvilluar sipas modelit të dytë, po në dallim nga gjuhët e tjera perëndimore, formimin e strukturës dialektore të shqipes ajo, po jo vetëm ajo, e vendoste gjatë katër shekujve të sundimit të Perandorisë Osmane.
Pra, A. V. Desnickaja, në dallim nga gjuhët e tjera evropiane, e vendoste historinë e formimit të strukturës dialektore të shqipes gjatë katër shekujve të sundimit të Perandorisë Turke. Ajo nuk e pranonte që njësitë dialektore të shqipes janë rezultat i pranisë së territoreve feudale relativisht të veçuara, që kanë pasur kufijtë e tyre politikë dhe popullsinë fshatare të qëndrueshme dhe që veçimi politik dhe ekonomik në periudhën e feudalizmit të ketë krijuar bazën për veçimin linguistik të njësive dialektore të shqipes.
Sipas A. V. Desnickajas, për dialektologjinë shqiptare më pak mund të flitet për ekzistimin e dialekteve të territoreve të veçuara, sesa kur është fjala për studimin e disa gjuhëve të tjera të Evropës Njësia territoriale, me të cilën ka të bëjë dialektologjia dhe etnografia shqiptare, nuk është territori i vjetër feudal” shkruante ajo.
Sipas saj, në periudhën e hershme të zhvillimit të shoqërisë feudale në Shqipëri (epoka e principatave shqiptare) nuk u krijuan kushte për formimin dhe stabilizimin e njësive dialektore të diferencuara brenda kufijve të territoreve të veçanta feudale. Kjo e ka çuar A. V. Desnickajan jo vetëm ta përjashtojë historinë e formimit të shqipes dialektore nga ligjshmëria e zhvillimit të gjuhëve të tjera të Evropës Perëndimore, po edhe ta zhvendosë historinë e formimit të strukturës dialektore të shqipes në tërësi në periudhën e pushtimit osman.
Përfundimi në të cilin arrinte A. V. Desnickaja ishte se tani për tani nuk mund të flasim konkretisht për ndikimin e drejtpërdrejtë të faktorëve të ndryshëm dhe të ngjarjeve të historisë së popullit shqiptar në konfiguracionin e arealeve të përhapjes së dukurive të ndryshme gjuhësore.
Në dallim prej saj ne kemi formuar bindjen se historia e strukturës dialektore të shqipes, ashtu si historia e strukturës dialektore të vendeve të tjera evropiane, është përcaktuar kryesisht nga copëtimi feudal i vendit, që ka kushtëzuar edhe veçimin dialektor të tij.
Për të konkretizuar e argumentuar mendimin tonë po lejohemi të analizojmë për së afërmi vetëm rolin e principatës së Kastriotëve në formimin e rajonit dialektor qendror në territorin e Shqipërisë së Veriut, të asaj që në dialektologjinë shqiptare njihet si “gegërishtja qendrore”.
Siç dihet, në pjesën qendrore të Shqipërisë së Veriut, në territorin që përshkohet nga lumi i Matit dhe degët e tij, Fani i Madh dhe Fani i Vogël, nga Drini i Zi dhe rrjedha e sipërme e Vardarit, shtrihet një grup të folmesh që kanë disa tipare specifike, të ndryshme nga të gjitha të folmet e tjera të shqipes