×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    ​Roli i prindërve në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve

    Insajderi
    03 October 2022 - 13:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkruan: Albert Kurtulaj     

    Ne prindërit të ndihmojmë për një vit të mbarë e të suksesshëm 

    Prindërit dhe Mësuesit janë partner në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve 

    Prindërit në ditët e sotme është e domosdoshme të përfshihen në bashkëpunim të ngushtë në procesin edukativo-arsimor në shkollë. Qëllimi kryesorë i këtij bashkëpunimi duhet të jetë sigurimi i një mjedisi shkollorë pozitiv si parakusht për edukimin dhe arsimimin e mirëfilltë të nxënësve. Që kjo të arrihet është e domosdoshme që mësimdhënësit dhe prindërit të respektohen reciprokisht me qëllim të rritjes së autoritetit të tyre në sytë e nxënësve. 

    Në procesin edukativo-arsimor trekëndëshi pedagogjikë është shumë i rëndësishëm, ku secili pjesëmarrës ka përgjegjësi dhe obligime. Në këtë rast unë po vë në fokus rolin dhe përgjegjësit e prindërve në mirëfunksionimin e këtij trekëndëshi.  

    Prindërit kanë përgjegjësi të shumta karshi shkollës si partner të edukimit të fëmijëve të tyre, në të njëjtën kohë edhe shkolla e mësimdhënësit duhet të jenë të hapur e bashkëpunues me prindër.  

    Secila shkollë ka ose do duhej të kishte qëllimet, objektivat, vizionin, kodin e shkollës i cili duhet mirëkuptuar dhe mbështetët nga prindërit. 

    Nga nevoja e ditëve të sotme, nga praktikat e deritanishme dhe nga literatura pedagogjike shohim se prindërit kanë detyra dhe përgjegjësi të shumta, disa nga to po i listoj këtu: 

    • Prindërit duhet të komunikojnë rregullisht me shkollën 
    • Të inkurajojnë dhe ndihmojnë fëmijët e tyre ne zbatimin e rregullores së shkollës 
    • Të përfshihen në mënyrë aktive në mësim-nxënien dhe përparimin e fëmijës së tyre 
    • Të ndihmojë fëmijën në përpilimin e orarit të mësimeve në shtëpi me qëllim të krijimit të shprehive të mësimit 
    • Të jenë shembull i sjelljeve të përshtatshme dhe të pranueshme 
    • Të mbikëqyrin grupin e fëmijëve me të cilët shoqërohet fëmija i tyre 
    • Të monitorojnë në mënyrë të padiktueshme përdorimin e internetit nga fëmija i tyre. 

    Prindërit kanë obligim dhe përgjegjësi që fëmija i tyre të shkojë në shkollë i përgatitur dhe me detyrat e shtëpisë të përfunduara. 

    Këtu shtrohet pyetja pastaj se a janë të gjithë prindërit të përgatitur me kompetencë që  tu ofrojnë fëmijëve të tyre ndihmën që duhet ofruar.  

    Në shumë raste është vërejtur se vet prindi duhet të mësoj e përvetësoj metodat e punës, ndodhë kur prindërit në mungesë të bashkëpunimit me mësimdhënësin vështirësojnë të nxënit e fëmijës duke përdorur metodologji e praktika të ndryshme nga mësimdhënësi. 

    Nga përvoja ime mund të them dhe të rekomandoj se; 

    • Prindi në asnjë rast nuk duhet ti bëjë detyrat e fëmijës, në të kundërtën efektet janë shumë negative. 
    • Metodat e prindit nuk duhet të bien ndesh me ato të mësimdhënësit 
    • Ne prindërit në asnjë rast nuk duhet ta denigrojmë mësuesen ose mësuesin duke u treguar te fëmija si më i dijshëm se ta. 
    • Prindërit të cilët për arsye të ndryshme i kanë fëmijët në qëndrim ditorë duhet ta shtojnë kujdesin e kontrollin që në asnjë rast mos të lejohet që fëmijëve tu jepen detyrat e gatshme vetëm të kërkohet të përshkruhen nga ta. 

    Prindërit gjithashtu kanë funksion mbikëqyrës ndaj fëmijës së ti duke : 

    • Mbikëqyrur a i respekton rregullat mësimore fëmija i tyre 
    • Duhet mbikëqyrur procesin e bërjes së detyrave 
    • Duhet të vlerësoj detyrën edhe kur është e nevojshme të kërkoj të korrigjohet 
    • Duhet të konsultohet me mësuesit për vështirësitë eventuale gjatë përvetësimit të shkathtësive dhe të mbikëqyrë vazhdimisht përvetësimin e këtyre shkathtësive. 

    Siç e dimë të gjithë, prindi dhe mësimdhënësi janë pasqyre dhe model per fëmijën, respektivisht nxënësin prandaj prindi duhet të ketë rolë stimulues duke lexuar edhe vet në prani të fëmijës duke mundësuar pyetje e debate mes prindërve dhe fëmijëve në familje. 

    Prindi i ditëve të sotme duhet gjithashtu të jetë i vëmendshëm dhe syçelë në përdorimin e teknologjisë nga ana e fëmijës. E dimë të gjithë se teknologjia, televizioni, telefonat e interneti në përgjithësi po kalon në varësi, ku fëmijët tonë po rriten e po jetojnë me këto pajisje teknologjike sa të dobishme aq edhe të rrezikshme, varësisht nga përdorimi i tyre.  

    Suksesi i prindërve është i matshëm me edukimin, mirërritjen dhe lumturinë e fëmijës së tyre dhe ky proces është i bukur sfidues dhe kompleks… 

    • Mendoj se duhet të bëjmë përpjekje që në dhomat e fëmijëve të mos ketë televizor 
    • Duhet të bëjmë përpjekje në bllokimin dhe fshirjen e programeve që nuk janë për fëmijë 
    • Mundësisht caktimi i kohës kurë dhe sa mund të shikohet TV 
    • Vetëdijesimi i fëmijës për përparësitë dhe rreziqet që vinë nga përdorimi i teknologjisë në përgjithësi, varësisht se si shfrytëzohet 

    Mendoj se do ishte mirë që televizionet tona të kenë bashkëpunëtorë profesional si pedagogun e psikologun në realizimin e emisioneve për fëmijë. 

    Roli i prindërve të cilët janë pjesë e këshillave të prindërve është tepër i rëndësishëm në menaxhimin dhe funksionimin e mirë të qeverisjes së shkollës. Këshilli Drejtues i shkollës është organi më i lartë në shkollë dhe drejtohet nga një prind. Plani Zhvillimor i Shkollës dhe Plani i Punës hartohet dhe miratohet nga ky këshill. Prandaj është e domosdoshme që të gjitha këshillat e shkollës, organet drejtuese të jenë funksionale dhe jo vetëm në letër sa për te plotësuar një obligim ligjor. 

    *Albert Kurtulaj, Mr. Sc.  Pedagogji, njohës i fushës së arsimit      

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark