“Romani “ Dosja B shëmti e zezë në letrat shqipe - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    “Romani “ Dosja B shëmti e zezë në letrat shqipe

    Insajderi
    17 July 2022 - 12:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    I kam lexuar disa libra të shkruara nga Jusuf Buxhovi. Romanet Nata e Shekujve dhe Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit, të cilat i pata gjetur dhe lexuar në burgun e Pozharevcit, diku në vitin 1986, i kam vlerësuar si krijime me vlerë në letërsinë e shkruar në Kosovë.

    Pasi e kam lexuar vëllimin e tretë të librit, Kosova – Nga Konferenca e Londrës deri tek Protektorati ndërkombëtar-, botim i vitit 2012, veçënarisht pjesën ku shkruan për ngajrejt e tri dekadave të fundit të shekullit XX, ku lehtësisht mund të konstatohej se intencë e Buxhovit ishte që përmes sajimeve dhe trillimeve, ai e din arsyen përse, të mbjellë fakte të paqëna historike, duke pretenduar të mveshë me të gjitha meritat një strukturë të caktuar komuniste, e rreshtuar në Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë përkatësisht të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës në njërën anë dhe të stigmatizojë forcën motorike të rezistencës kundër pushtuesve serbo-jugosllav në anën tjetër.

    Qasja e Buxhovit në krijimet e tij të fundit, që sa herë i jipet mundësia të flet për to, vetëlavdrohet si shkrimtar, historian, krijues e shkencëtar, është anakronike, antihistorike dhe antishkencore. Madje nuk është gabim të thuhet edhe antikombëtare, kur shohim se si flet për regjimin komunist serbojugosllav, dhe si flet për kundërshtarët e këtij regjimi, për shqiptarët të rreshtuar në Lëvizjen e fshehtë antipushtuese, shumë prej të cilëve janë burgosur e dënuar me vite të shumta burgimi, madje shumë atdhetarë, pjestarë të organizatave të fshehta të rezistencës janë vrarë nga pushtuesit komunist jugosllav…

    Për shkak se Buxhovi nuk më kishte bindur se ka qasje serioze dhe shkencore në shkrimet e tij, atij si gjysëm intelektual i formuar me njëmendësi totalitare në kohën e komunizmit jugosllav, ia kam neglizhuar dhe injoruar shkrimet. Kështu, nuk kam arritur të jem në dijeni të botimit të një ”libri- roman”, të shkruar nga ai, në vitin 2016. Kritika e shkruar para disa ditësh nga miku im Reshat Sahitaj, më ngjalli kurreshjtjen dhe e gjeta për t’a lexuar këtë libër. U interesova sipërfaqësisht edhe për prezentimet dhe vlerësimin e tij. Dëgjimi me pak vëmendje i atyre që i thurin ojna këtij libri të titulluar Dosja B, menjëherë të bënë të kuptoshë se librin për të cilin flasin ata nuk e kanë lexuar fare.

    Kjo dukuri është gjërësisht e përhapur nepër mediumet tona. Askund nuk hasa në ndonjë kritikë serioze, përveç asaj të veprimtarit e shkrimtarit Reshat Sahitaj. E kam të vështirë të kuptoj, nëse kjo neglizhencë është për shkak se veprat e Buxhovit nuk lexohen dhe ashtu sikurse unë shumë kush tjetër nuk e ka vërejtur botimin e këtij “romani”, apo se kritikët heshtin për shkak të oportunizmit. Pasi e lexova “romanin” Dosja B, nuk mund të rri pa shkruar disa fajlë për këtë dosje të Buxhovit, e cila mund të them se është rrënqethëse dhe tronditëse në kuptimin se deri ku mund të shkojë histeria krijuese kundër vetvetes…Si nuk jemi të alarmuar, si shoqëri, si komb e si popull se ç’rrjedhë po synohet t’i krijohet kulturës sonë, letërsisë sonë, historisë sonë…. Pas përfundimit të luftës çlirimtare, sajimet dhe konstruksionet kundër luftës çlirimtare dhe UÇK-së, kanë qenë në trend.

    Heshtja ndaj tyre ka bërë që; ata të cilët nepërmes shpifjeve, insinuatave e trillimeve, kanë zënë vend në podinë, tash të rrezatojnë guxim e trimëri, duke e keqëpërdorur skajshmërisht lirinë, kurse më meritorët e sjelljes së lirisë i kanë shndërruar në protogonistë të: denigrimit, nënçmimit, devalorizimit, shpërdorimit, linçimit, stigmatizimit, përjashtimit, demonizimit, krimit, akuzimit dhe së fundi edhe arrestimit e dënimit…. shtrohet pyetja e thjeshtë; qëllim i kujt ka qenë të krijohet e tillë pasqyrë për forcën motorike që solli ndryshimet e mëdha, që është më meritorja për arritjen e lirisë, demokracisë dhe pavarësisë në Kosovë. Kam frikë se duke goditur këtë strukturë goditet palca kurrizore e shtetit të Kosovës, qëllohet në themelet e shtetit për çka më së shumti është e interesuar dhe nuk rreshtë se investuari shteti i Serbisë i prirë nga strukturat e shërbimeve sekrete të tij…

    Për të qenë më bindës autori i Dosjes Buxhovi, narracionin e tij e ndërton duke u fshehur pas hetuesit që na vika nga Gjermania, i cili paska pak gjak gjerman, pak gjak serb, e pak gjak shqiptar, me informata të shpifura që Buxhovi pretendon se janë të shërbimeve sekrete gjermane dhe të NATO-s, fillon hetimet për të gjetur anëtarët e grupit të organizuar kriminal, të cilët nuk janë askund tjetër pos tek ata që Buxhovi me tendencë të skajshme i quan luftëtarë ideologjik të tubuar rreth LPK-së, ose UÇK-së, të cilët të indoktrinuar në vendet e Evropës Perendimore, kryesisht në Zvicër e Gjermani me ideologji komuniste (sic), kanë formuar ushtrinë dhe kthehen në Kosovë për të vrarë intelektualë e drejtues të shtetit që paska funksionuar mrekullisht madje edhe nën kthetrat e federates socialiste jugosllave apo serbe krejt njësoj është dhe fare nuk paska pasur nevojë për ta trazuar bashkëjetesën e “klasës intelektuale” siç thotë Buxhovi shtetformuese dhe aparatit represiv pushtues serb.

    Më së miri këtë bashkëjetesë Buxhovi e përshkruan në “roman”, në momentin kur drejtori i dhunshëm i kombinatit bujqësor atje diku në Dushkajë, i ardhur nga Nishi e thërret agronomin shqiptarë dhe i thotë se mua përkohësisht më ka vendosur regjimi e politika në këtë pozitë, kurse ju duhet të thirrni të gjithë punëtorët, madje edhe ata sezonal e të punoni dhe të krijoni mirëqenie. Këtë dashamirësi ndaj punëtorëve shqiptarë nuk e kanë pasur administratorët e okupatorit të cilët përveq shërbëtaorëve të tyre, spostuan nga puna, nga jeta publike, madje edhe nga e drejta për të jetuar të gjithë shqiptarët në Kosovë dhe më gjërë ku ata kishin ndikim…

    Në Dosjen e tij, Buxhovi tmerrësisht i frynë përçarjes së brendshme nacionale duke u munduar që Lëvizjen e organizuar antipushtuese ta paraqesë si lëvizje marksiste leniniste, lëvizje të majtë, ilegale, skajshmërisht të ideologjizuar e ndikuar, madje edhe e dirigjuar nga Beogradi e Moska, kurse partinë të cilën thotë se e ka krijuar, sikurse veten dhe sojin e tij, i paraqet të urtë, të menqur, properendimor, antikomunistë dhe krijues të shtetit të Kosovës. Për ta vulosur këtë konstatim të tij ai fshihet pas “analizave të psikologut, sociolugut dhe politologut gjerman” të cilët vinë nga Gjermania sikurse hetuesi gjakpërzier dhe i bëjnë “rentgen” shoqërisë sonë… Në asnjë vend, në asnjë rresht në 418 faqe të këtij pamfleti politik, nuk përmendet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është formuar si rezultat i represionit dhe gjenocidit serb që ushtronin kundër shqiptarëve. Nuk përmendet se UÇK me vullnet, guxim e vetëmohim, e ka filluar luftën për çlirim kombëtar nga okupatorët serb. Njohësit ndërkombëtarë të ushtrive dhe të luftrave nuk ngurrojnë ta cilësojnë UÇK-në si guerilen më të sukseshme në botë. Kurse Buxhovi mundohet të krijoj përceptimin se UÇK ka luftuar kundër shqiptarëve, ka luftuar për të bërë revolucion socialist apo për internacionalizëm proletar dhe për marrje të pushtetit me dhunë.

    A nuk është anakronike kjo qasje edhe 27 vjet pas dështimit të komunizmit dhe konceptit socialist për shtetin e shoqërinë?! Mbase kjo, mund të jetë indikatori më i mirë se Buxhovi nuk ka mundur të lirohet nga ideologjia e njëmendësisë totalitariste e komunizmit jugosllav. Dihet botërisht se ai ka qenë anëtarë i Lidhjes Komuniste jugosllave, dhe shërbyes i devotshëm i saj, prandaj ai në asnjë rrethanë nuk flet për krimet e komunizmit në Jugosllavi por flet vetëm për krimet e komunizmit në Shqipëri. Mendja ma thot se kjo qasje e Buxhovit, nuk është e ndikuar nga ajo thënja popullore “për inatë të vjehrrës shkoj e flij me mullixhiun”, por është e sinkronizuar. Lëvizja e fshehtë antipushtuese, të cilën Buxhovi e quan ilegale, deri në dekadën e fundit të shekullit XX, ishte organizimi i vetëm politik që vepronte kundër pushtuesve komunistë serbojugosllav.

    Ndërkaq, pas krijimit të formacioneve të tjera politike, Lëvizja e organizuar fshehtë ishte i vetmi formacion serioz që vepronte në drejtim të organizimit të kryengritjes të armatosur me qëllim të realizimit të çlirimit nga pushtuesit serb , të cilët Kosovën e mbanin të okupuar që nga viti 1912…. Kur përfundimisht u konstatua se Kosova nuk do të mund ta avancojë pozitën e saj, kur u konsiderua se janë shterrur të gjitha mjetet përveç luftës së armatosur për realizimin e lirisë, kryengritja e armatosur ishte domosdoshmëri, sepse kishte ngelur e vetmja rrugë e paprovuar. Kryengritja u organizua nga intelektualë, veprimtarë, atdhetarë e patriotë kryesisht të organizuar në LPK, të cilët asnjëherë nuk kanë kursyer as jetën e tyre për të arritur lirinë për vendin dhe popullin.

    Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës në radhët e së cilës u rreshtuan luftëtarë nga të gjitha formacionet politike dhe nga të gjitha trojet shqiptare u mbështet dhe u ndihmua në realizimin e synimeve të saj nga demokracitë e vendeve perendimore dhe nga NATO… Vetëm pas përfundimit të luftës Çlirimatre në Kosovë janë krijuar rrethanat për pluralizëm politik dhe për luftë për pushtet. Në të gjitha zgjedhjet lokale e të pëgjithshme të organizuara në Kosovë, deri në vitin 2007, fituese ka dalë LDK, Partia që Buxhovi thot se e ka formuar, e cila ka qeverisuar në koalicion me parti të tjera, madje ka qenë parti në pushtet edhe atëherë kur nuk ka dalë fituese në zgjedhje. Pra pushteti nuk është marrë me dhunë por përmes votës dhe këtë e din shumë mirë Buxhovi ashtu siq e din shumë mirë se kush ka keqpërdorur me lirinë dhe ende po vazhdon t’a keqpërdorë atë, mbase edhe me qëllim të zhbërjes së saj…. Pas përfundimit të luftës të gjitha anomalitë, të gjitha devijimet, të gjitha krimet që ndodhin në Kosovë, për Buxhovin e kanë adresën.

    Ajo është tek strukturat e UÇK-së, të PDK-së dhe të SHIK-ut. Personazhi kryesor i Dosjes Buxhovi, është personazh real, “Vrasësi i Penduar” alias Nazim Bllaca, të cilin Buxhovi e përshkruan si njeri të mirë, nxënës e student i shkëlqyeshëm, që e donte “shtetin paralel” të Kosovës. Në fakt është krejt e kundërta. Personazhi kryesor i Buxhovit del të jetë një spiun i shitur agjent i UDB-së dhe i pregatitur nga shërbiemt sekrete serbe për të shpifur kundër vetes së tij dhe kundër UÇK-së si gjoja ish-pjestar i UÇK-së dhe SHIK-ut. Përmes këtij personazhi, jo vetëm Buxhovi tenton të demonizojë Ushtrinë Çlirimatre të Kosovës e posaqërisht drejtuesit e saj. Me siguri kur autori ka filluar shkrimin pamfletit propagandistik Dosja B, nuk e ka pasur idenë se personazhi i tij kryesor, një vit pas publikimit të Dosjes B, do të shpërfaqet dhe zbulohet lakuriq se ishte agjent i pregatitur nga shërbimet sekrete serbe për të marrë përgjegjësi deri edhe për vrasje, duke u deklaruar se është i gatshëm të shkoj edhe në burg gjoja për të shpaguar fajin që ka bërë, në mënyrë që akuzat e tij për drejtues të luftës çlirimtare të zënë vend në opinion, të duken sa më origjinale dhe të krijojnë përshtypje se akuzat e tij janë reale… Faji i tij është se ai ka shpifur me qëllim të njollosjes së luftës së drejtë çlirimtare dhe bartësve kryesor të saj. Faj që nuk mund të shlyhet asnjëherë dhe është njollë turpi për të dhe për të gjithë ata që në një formë a një tjetër i kanë qëndruar pas…

    Pra, një vit pas botimit të “romanit” Dosja B, vet kryepersonazhi “vrasësi i penduar” alias Nazim Bllaca, e fut në grackë dhe e zbulon edhe hetuesin gjakpërzier i cili gjatë shkrimit gjegjësisht sajimit të tij, thuajse çdo ditë përmes postës elektronike merr “udhëzime për hulumtim” nga babai apo … nga kush tjetër e din vetë autori…. Kur nuk gjente ndonjë ngjyrë për të kompletuar mozaikun e konstruktuar ai shpikë vet ndonjë “argument” për të kompletuar konstriktimin, sikurse që e ka bërë me dizajnin e kopertinës së librit me gjoja faksimilin e një pusulle të shkruar me dorë në një letër të thjeshtë që të duket si një urdhër primitiv për ekzekutim… Urdhëra për ekzekutim të shqiptarëve ka dhënë Serbia dhe nuk i ka interesuar fare se a vret shqiptarë të orientimit politik të qendrës, të majtë apo të djathtë, por çuditërisht Serbia është amnistuar nga Buxhovi në “romanin” e tij…

    Nëse lexuesi i Dosjes Buxhovi, e njeh vetëm pak natyrën e funksionimit të shërbimeve sekrete serbe, atëherë gjatë leximit mund t’i shkoj mendja se pikërisht ato shërbime që e kanë pregatitur Nazim Bllacën për të shpërfaqur sajimet e tyre, si në rrafshin e brendshëm ashtu edhe atë ndërkombëtarë, kanë porositur edhe analistë, shkrimtarë, e të vetëquajtur intelektual, që përmes formave të ndryshme propagandistke, “analitike, letrare e kulturore”, të arsyetojnë veprimin e Bllacës. Të lavdërojnë “guximin i tij njerëzor e moral” dhe kështu fajësia dhe përgjegjësia për të gjitha krimet e ndodhura të ju atribuohet shqiptarëve apo më konkretisht komandantëve të UÇK-së dhe kuadrove të PDK-së. A ka rënë Buxhovi në këtë grackë apo ka qenë i sinkronizuar vetëm ai e din.

    Ka shumë indikacione që aludojnë se ka sinkronizim, sepse shkrime të ngjashme jo me të dhëna gjoja nga burimet e shërbimeve sekrete gjermane, por me të dhëna të sajuara nga shërbimet sekrete serbe, janë publikaur edhe nga krijues shqiptarë e jo shqiptarë si francezi Pierre Péan, i cili shkruan një libër të porositur nga shërbimet sekrete serbe të titulluar – Kosova: Një luftë e drejtë për krijimin e një shteti mafioz. (Kosovo: une guerre juste pour créer un Etat mafieux). Shërbimet sekrete dhe diplomacia serbe nuk e fshehin më faktin se arritën të bindin edhe ish senatorin zviceran Dick Marty që të nënshkruaj raportin e sajuar nga ata, sikur të ishte raporti i tij dhe ta dërgoj për aprovim në Këshillin e Evropës. Raport ky që synon të komprometojë dhe të shpërfytyrojë plotësisht UÇK-në dhe drejtuesit e saj. Kur UDB gjegjësisht shërbimi i dalë nga ajo BIA, kanë planifikuar dhe kanë menduar se ia arrijnë që edhe në Zvicër të vrasin Dick Martin, me qëllimin djallëzor për të ua mveshur fajin shqiptarëve dhe për t’i akuzuar ata si kriminel e vrasës, por edhe për të varrosur të vërtetën e raportit të nënshkruar nga ai, nuk mund që mos të vete mendja, se BIA ka bërë shumë krime monstruoze edhe në Kosovë për të fajsuar pastaj shqiptarët, siç ka bërë gjatë luftës me rastin vrasjes e gjashtë të rinjëve serb i njohur si rasti Panda apo edhe pas luftës vrasjen e fëmijëve serb në Gorazhdec.

    Shumë vrasje në Kosovën e pasluftës mund t’i kenë kryer shërbimet sekrete serbe për të akuzuar shqiptarët. Moszbulimi i shumë veprave kriminale dhe orientimi i hetimeve në pista të gabuara është indikative se janë bërë pikërisht nga ata. Shërbimet sekrete serbe kanë pasur kujdestarët dhe kasnecët e tyre në gjendje gatishmërie në mënyrë që menjëherë pas krimeve të ndodhura të “gjejnë fajtorët”. Të ua bëjnë gjyqin publik.

    Kështu vazhdimisht kanë synuar të njollosin vlerën më të çmuar që ka krijuar populli shqiptar pas vitit 1912, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. « Romani » Dosja B, i autorit Jusuf Buxhovi më ngjanë të jetë i porositur, pikërisht nga këto shërbime, sepse përçon mesazhe që i konvenojnë vetëm Serbisë dhe herdokurë ajo do të përpiqet ta përdorë këtë “roman” si argument për tu shfajsuar nga faji për ushtrimin e krimit të gjenocidit kundër shqiptarëve …. Kritika letrare dhe letërisa jonë nuk duhet të tolerojnë vepra të tilla që më shumë se vepër artistike shëmbëllejnë në pamflete të shpifura propagandistike për interesa të atyre që na kanë vrarë, burgosur e robëruar për thuajse një shekull. Veprat e tilla nuk paraqesin kurrëfarë vlere artistike, letrare apo kulturore. Përkundrazi janë shëmti e zezë për letërsinë dhe kulturën tonë. Duke e lexuar këtë “roman” jam ndier në siklet për torturën që i është bërë gjuhës shqipe, e cila nuk pranon që me shkronjat e saj të sajohet një shëmti të tillë!

    Ramadan AVDIU


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Op-Ed
    16 December 2024
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark