Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin dënues ndaj Rozeta Hajdarit, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, duke e dënuar me 700 euro gjobë, lidhur me akuzën për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor.
Aktgjykimi ndaj ministres Hajdari u shpall në mungesë të saj të enjten nga gjykatësja e rastit, Donikë Shala-Abdyli.
Sipas gjykatëses Shala-Abdyli, në rast se ministrja nuk dëshiron ose nuk mund të paguajë dënimin me gjobë, i njëjti do t’i zëvendësohet me burgim, duke iu llogaritur për një ditë burgim shuma prej 20 euro.
Njoftimi i plotë i gjykatës:
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Penal ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuares Rozeta Hajdari për veprën penale ‘Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
E akuzuara Hajdari është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me gjobë në shumën 700 (shtatëqind) euro, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditëve nga dita kur ky Aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm.
E akuzuara Rozeta Hajdari në cilësinë e zyrtares së lartë publike, si Ministre e Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke qenë e vetëdijshme për detyrimin e saj ligjor nuk e ka respektuar nenin 6 paragrafin 1 nën paragrafin 1.1 lidhur me nenin 7 të Ligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik.
Kundër këtij aktgjykimi është e lejuar ankesa në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga koha e pranimit të të njëjtit, në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.