
Kandidati për kryetar të Fushë Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rrahim Ternava, ka prezantuar programin e tij qeverisës, duke premtuar ndryshime të prekshme për qytetarët e komunës.
Ai ka deklaruar se çdo pikë e programit është hartuar mbi nevojat reale të qytetarëve dhe ofron zgjidhje konkrete për problemet e përditshme.
“Fushë Kosova është një nga komunat më të mëdha të vendit, por prej vitesh qytetarët e saj jetojnë me mungesa elementare dhe pa dinjitet. Këtu do të ndërtojmë një shesh dinjitoz siç i ka hije qytetit tonë dhe nënkalimin më të madh në Fushë Kosovë. Do të rregullojmë rrugët, kanalizimin, ndriçimin dhe trotuaret anë e kënd komunës,” tha Ternava.
Në fushën e arsimit, ai premtoi ndërtimin e dy shkollave të reja, çerdhe moderne, përmirësim të kushteve për mësimdhënësit, laboratorë dhe bursa për nxënës e studentë, duke theksuar se “e ardhmja fillon në edukim”.
Programi i tij përfshin edhe modernizimin e shëndetësisë, me ndërtimin e një QKMF-je të re dhe një QMF-je në lagjen Kolonia, duke siguruar që “askush të mos mbetet pa kujdes shëndetësor”.