
Një rast i rëndë dhune është regjistruar në Prizren, ku një qytetar është sulmuar brutalisht nga një zyrtar policor, pas një përplasjeje që nisi për shkak të “mosbindjes ndaj urdhrave policorë”.
Fillimisht, sipas raportimeve zyrtare, zyrtari policor pretendonte se ishte qytetari ai që kishte provokuar incidentin. Megjithatë, hetimet e mëvonshme kanë zbuluar të kundërtën, shkruan Insajderi.
Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, konfirmoi se viktima ka marrë lëndime të rënda trupore dhe se sjellja e zyrtarit është e papranueshme, pavarësisht funksionit të tij.
“Ndërkohë, në bashkëpunim me hetuesit e IPK-së, kemi autorizuar mbledhjen e informatave dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe të dëmtuarit. Ajo që është më e rëndësishme, kemi siguruar prova që vërtetojnë të kundërtën e asaj që ishte raportuar fillimisht,” u shpreh Kryeziu.
Sipas tij, është konstatuar se zyrtari policor ka përdorur forcë jo proporcionale në një moment kur qytetari thuajse ishte në kontroll dhe nuk paraqiste rrezik.
“Zyrtari e ka goditur në fytyrë dhe ai ka pësuar lëndime të rënda trupore. Kjo për ne është e papranueshme, pavarësisht se bëhet fjalë për një zyrtar të ligjit,” tha Kryeprokurori.
Zyrtari policor është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Kryeprokurori shtoi se mosbindja ndaj urdhrave të policisë përbën kundërvajtje, por kurrsesi nuk mund të justifikojë dhunën e ushtruar. /Insajderi/