Pushtetarët e VV’së dhe deputetët e PDK’së të përfshirë në rrahjen e Kuvendit të Kosovës më 13 korrik të vitit të kaluar kanë arritur marrëveshje jashtëgjyqësore.
Lajmin për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar mbrojtja e deputetit të PDK’së, Mërgim Lushtaku, avokatja Besjana Ismaili.
“Është arritur marrëveshja, palët kanë arritur pajtim ndërmjet vete. Kjo çështje në prcedurë të ndërmjetësimit ka përfunduar. Sipas procedurave ligjore, kjo marreveshje eshte derguar ne gjykate dhe Gjykata do te vendos perfundimisht per kete marreveshje”, ka thënë për Insajderin avokatja Besjana Ismajli.
Në maj të këtij viti, me pajtim të palëve në procedurë, lënda ndaj zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe deputetëve Hajdar Beqa, Bekim Haxhiu dhe Mergim Lushtaku, për përleshjen e ndodhur më 13 korrik 2023 në Kuvendin e Kosovës, kishte shkuar në ndërmjetësim.
Për çka akuzohej zëvendëskryeministri Besnik Bislimi?
Sipas aktakuzës, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi akuzohej se gjatë seancës plenare të 13 korrikut 2023, ka përdorur forcë fizike kundër tani të dëmtuarit deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku, pasi ky i fundit i kishte hedhur ujë Bislimit.
Sipas Prokurorisë, Lushtaku këtë e kishte bërë në shenjë revolte pasi i akuzuari Bislimi paraprakisht e kishte hequr një foto të Kryeministrit Albin Kurtit të paraqitur në formë të “Pinokios”, e vendosur paraprakisht nga disa deputetë. Pasi kishte hedhur ujë Lushaku në drejtim të Kryeministrit dhe më pas të Bislimit, thuhet se Bislimi në shenjë revolte e kishte gjuajtur me shishe Lushtakun, e më pas me dashje e kishte goditur edhe me grushte dore në fytyrë të dëmtuarin Lushtaku, veprime të cilat shihen nga kamerat e sigurisë brenda sallës së Kuvendit.
Për çka akuzohej deputeti Mergim Lushtaku?
Sipas aktakuzës, ekzistonte dyshimi se i pandehuri Mergim Lushtaku më 13 korrik 2023, në objektin e Kuvendit, gjatë mbajtjes së seancës së rregullt plenare, ka përdorur forcë fizike kundër të dëmtuarit Besnik Bislimi. Aty thuhet se pas krijimit të situatës së eskaluar në Kuvend, i pandehuri Lushtaku me dashje e kishte sulmuar fizikisht Bislimin, duke e goditur me shuplakë në fytyrë, veprime të cilat shihen përmes kamerave të sigurisë që gjenden brenda sallës së Kuvendit.
Për çka akuzohej deputeti Hajdar Beqa?
Hajdar Beqa, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), thuhej se më 13 korrik 2023, në objektin e Kuvendit, gjatë seancës plenare, ka përdorur forcë fizike kundër tani të dëmtuarit, ministrit të Financave, Hekuran Murati. Sipas aktakuzës, derisa i dëmtuari Murati kishte parë se deputeti Lushtaku kishte hedhur ujë në drejtim të Kryeministrit të Kosovës, i njëjti ishte ngritur në këmbë për të parandaluar ndonjë sulm ndaj Kryeministrit dhe atëherë i pandehuri me dashje e kishte sulmuar fizikisht të dëmtuarin Murati, duke e goditur me grusht në fytyrë mbi vetull, veprime të cilat shihen përmes kamerave të sigurisë në Kuvend.
Për çka akuzohej deputeti Bekim Haxhiu?
Gjithnjë sipas aktakuzës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, akuzohet se në seancën e Kuvendit, në të njëjtën datë, kishte përdorur forcë fizike, ndaj tani të dëmtuarit Hekuran Murati, kjo pas situatës së krijuar mes deputetit Mergim Lushtaku dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar. Sipas aktakuzës, i akuzuari Haxhiu, me dashje që t’i shkaktojë lëndime trupore të dëmtuarit Murati, e ka goditur me grusht në pjesën e majtë të fytyrës, duke i shkaktuar ndrydhje të indeve në nofull, dëmtime të kualifikuara si lëndime të lehta trupore. /Insajderi.org/