Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, ish-komandanti i UÇK-së, gjeneral Rrahman Rama, zhvilloi një takim të veçantë dhe emocionues me shokët e tij të luftës, invalidët dhe veteranët e UÇK-së, si dhe familjet e dëshmorëve.
Në këtë takim, u diskutua rëndësia e mbështetjes për kategoritë e luftës, duke theksuar planin konkret të PDK-së dhe liderit Bedri Hamza për të rritur për 50% mbështetjen për këto kategori të nderuara.
“UÇK-ja mbetet themeli i lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. Përkujdesja për veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve është përgjegjësi e jona dhe një detyrim moral që kurrë nuk do të harrohet. Plani i Bedri Hamzës është garanci për një të ardhme më të mirë për të gjithë ju që sakrifikuat gjithçka për lirinë e Kosovës,” u shpreh gjeneral Rama.
Takimi u përmbyll me zotimin e përbashkët për të vazhduar përkrahjen ndaj vlerave të luftës dhe për të çuar përpara prioritetet që sigurojnë mirëqenie për të gjithë ata që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.