Ministri i Shëndetësisë thotë se nuk ka para mjaftueshëm për trajtimin e kancerit – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministri i Shëndetësisë thotë se nuk ka para mjaftueshëm për trajtimin e kancerit

    Insajderi
    08 October 2016 - 16:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Muaji tetor është muaj i vetëdijesimit nga sëmundja e kancerit të gjirit, një prej sëmundjeve më të shpeshta të regjistruara në Kosovë te gratë. Por, Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka thënë se ka mungesë të buxhetit për luftimin e kësaj sëmundjeje.

    Ai kohë më parë i kishte thënë Radios “Evropa e Lirë” se ndonëse për trajtimin e sëmundjes së kancerit në Kosovë kërkohen rreth 9 milionë euro në vit, institucioni që ai udhëheq, ka ndarë 5 milionë euro për këtë sëmundje, në mungesë buxheti.

    Në anën tjetër, në vitin 2015, mamografi mobil u vu në shërbim të grave, të cilat duan ta bëjnë falas kontrollin e gjirit. Grupi i grave deputete kanë qenë ato që kanë iniciuar blerjen e mamografit mobil, në mënyrë që të kenë qasje të gjitha gratë në gjithë territorin e Kosovës që të kryejnë kontrollet e gjirit.

    Kordinatori për mamografin mobil, Ardian Biçaku, ka deklaruar se këtë vit janë kryer 2157 ekzaminime të gjirit në 20 komuna të Kosovës, derisa janë zbuluar 39 raste me kancer në gji.

    “Mamografi mobil ofron shërbime kualitative në gjithë Kosovën, duke vetëdijësuar gratë lidhur me kancerin e gjirit, duke i inkurajuar të bëjnë kontrolle, dhe duke mbledhur të dhëna për sëmundjen e kancerit të gjirit në Kosovë. Radiologët e Klinikës së Radiologjisë kryejnë kontrollet në këtë mamograf. Deri tash mamografi mobil ka vizituar 20 komuna të Kosovës. Në vitin 2016, janë realizuar 2157 ekzaminime, derisa 4877 janë ekzaminuar gjithsej që prej funksionalizimit të këtij mamografi, ku 39 janë zbuluar me kancer të gjirit”, ka thënë Biçaku.

    Shoqata e Onkologëve të Kosovës ka bërë të ditur se kanceri i gjirit është patologjia që po shënon rritje. Andaj, në muajin tetor do të ketë aktivitete të ndryshme nga kjo shoqatë nëpër Komuna të Kosovës për ngritje të vetëdijes së grave lidhur me sëmundjen, qoftë përmes ligjëratave, por edhe me aktivitete të tjera.

    E, bazuar në të dhënat e fundit rreth incidencës dhe vdekshmërisë së lartë në mbarë botën nga kjo sëmundje, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë tashmë kanë miratuar Planin Nacional për Kontrollin e Kancerit, i hartuar nga Bordi Nacional për Kontrollin e Kancerit të Kosovës.

    Ky plan, sipas zyrtarëve të kësaj Ministrie, ka për qëllim zvogëlimin e incidencës së kancerit, ku objektiv kryesor ka parandalimin, zbulimin e hershëm dhe skriningun, diagnostikimin, trajtimin specifik multidisiplinar, trajtimin paliativ dhe rehabilitimin e pacientëve të prekur.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark