Është ndryshuar aktakuza dhe është bërë rikualifikimi i veprës penale kundër sigurimit të lokalit “Maroon Pub”, që rrahu me shkop bejsbolli klientin që u ul në tavolinën e rezervuar. Prokurorja e rastit ka thënë se dispozitivin e aktakuzës e ka ndërruar, pas marrjes së mendimit të ekspertit mjeko-ligjor.
Siç raporton “Betimi për Drejtësi”, në rastin ku Liridon Avdyli po akuzohet për përleshjen fizike që kishte ndodhur në lokalin “Maroon Pub” në Prishtinë, në vitin 2018, prokurorja Nebahate Salihu në seancën e së martës ka ndryshuar aktakuzën dhe ka bërë rikualifikimin e veprës penale.
Prokurorja Salihu tha se dispozitivin e aktakuzës e ka ndërruar, pas marrjes së mendimit të ekspertit mjeko-ligjor, Dr. Musa Gashi,
Me rikualifikim të veprës penale, Avdyli tani po akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, nga neni 189, par.2, pika 2.5 të Kodit Penal.
Pas leximit të aktakuzës të ndryshuar, i akuzuari Avdyli deklaroi se e kupton aktakuzën e ndryshuar dhe se e ndien veten fajtor.
“Po po, pe kuptoj, i kom tregu edhe ktyne, unë ju kërkoj falje ktyne djemve çka ka ndodh”, tha ai.
Ndërsa, mbrojtësi i tij, avokati Granit Hadërgjonaj tha se i akuzuari Avdyli është baba i tre fëmijëve dhe mbajtës i familjes.
Ai shtoi që i akuzuari e pranon fajësinë, duke i kërkuar falje gjykatës dhe të dëmtuarve, si dhe të njëjtën kohë premton se më asnjëherë nuk do të jetë kryerës i ndonjë vepre penale.
Në anën tjetër, prokurorja Salihu propozoi që kjo çështje të vazhdojë me shqyrtim gjyqësor për t’u dëgjuar pala e dëmtuar, si dhe eksperti mjeko – ligjor, duke mos e kundërshtuar pranimin e fajësisë.
Kurse, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Flakron Sylejmani tha se pranimin e fajësisë e kundërshton vetëm për arsyen se nuk është e qartë se cili dokumentacion është ekzaminuar, duke theksuar se më 26 tetor të këtij viti ka dorëzuar prova në prokurori dhe nuk dihet se a janë ekzaminuar të gjitha ato.
Për këtë arsye, i njëjti deklaroi se ka nevojë për sqarime shtesë nga eksperti mjeko – ligjor.
Në fund, gjykatësja Sulltane Hoti mori aktvendim me të cilin u refuzua pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit Avdyli.
Ndërkaq, me kërkesë të avokatit Hadërgjonaj, seanca nuk vazhdoi tutje për shkak se i njëjti tha se i duhet kohë për përgatitjen e fjalës hyrëse.
Kurse, për ekspertin mjeko-ligjor, Dr. Musa Gashi, gjykatësja Hoti tha se do të ftohet me ftesë të rregullt.
Në këto rrethana, seanca e radhës u caktua për me 13 dhjetor të këtij viti.
Ndryshe, në aktakuzën e ndryshuar më 8 nëntor 2022, thuhet se i akuzuari Liridon Avdyli më 15 janar 2018 në Prishtinë, në lokalin “Maroon” derisa ishte duke punuar si punëtor në të njëjtin vend, aty kanë shkuar të dëmtuarit Kushtrim Sahiti dhe Leutrim Morina me qëllim që të pinin diçka.
Tutje, thuhet se të dëmtuarit Morina nuk i është lejuar hyrja brenda në lokal, me arsyetimin se i njëjti është i rezervuar, ndërsa i dëmtuari Sahiti ka lëvizur brenda dhe më pas kur kishte vërejtur se shokët e tij nuk ishin brenda kishte dalë jashtë tek ata.
Në vazhdim, thuhet se pas dy ore i dëmtuari kishte shkuar në lokal dhe kishin hyrë brenda pa i vërejtur sigurimi dhe thuhet se i akuzuari Avdyli me të vërejtur praninë e të dëmtuarit brenda, kishte shkuar te shanku ku ka qenë i dëmtuari Sahiti dhe pa asnjë paralajmërim e kishte sulmuar fizikisht.
Në aktakuzë, thuhet se nga goditja, i dëmtuari Sahiti është rrëzuar në tokë, ku janë ofruar 4-5 persona tjerë punëtorë të atij lokali, tani për tani të paidentifikuar dhe të njëjtit e kanë goditur me shkopinj të drurit në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit.
Sipas aktakuzës, nga goditja që i akuzuari Avdyli i ka bërë të dëmtuarit Sahiti, ky i fundit ka pësuar lëndime trupore si thyerje në anën e djathtë të sinusit frontal dhe në anën e majtë të sinusit maksillar, me hospitalizëm dhe ndërhyrje operative tek orbita e syrit të majtë, ostigmatizëm – çrregullim i të parit dhe me shikim të dobësuar tek syri i majtë dhe të shkaktuara me besueshmëri nga veprimi mekanik i mjetit të fortë mbretës (jo të mbrehtë), që si të tilla bëjnë pjesë në dëmtime, këto të kualifikuara si të rënda trupore me pasoja të përhershme të shëndetit.
Me këtë, Avdyli po akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, nga neni 189, par.2, pika 2.5 të Kodit Penal.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2022, Avdylin e kishte shpallur fajtor për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe e kishte dënuar me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e tij ishte zëvendësuar në dënim me gjobë në shumë prej 800 euro.
Kundër këtij aktgjykimi, në Gjykatën e Apelit ka parashtruar ankesë përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, avokati Reshat Millaku, duke propozuar që ndaj të dënuarit Avdyli të shqiptohet një dënim më i rëndë me burgim efektiv, me të cilin sipas tij do të arrihej qëllimi i dënimit.
Gjykata e Apelit kishte gjetur se ankesa e të dëmtuarit është e bazuar dhe më 20 shtator 2022 ka marrë aktvendim, me të cilin ka kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje.
Sipas vendimit të Apelit, është konstatuar se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të procedurës penale dhe kjo për faktin se nuk është përpiluar në harmoni të plotë me dispozitat ligjore.
“Dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar nuk është i qartë, në dispozitivin e këtij aktgjykimi nuk janë përshkruar qartë të gjitha veprimet inkriminuese të të akuzuarit, në të cilat veprime manifestohen të gjitha elementet qenësore të kësaj vepre penale, për të cilën është akuzuar dhe shpallur fajtor i akuzuari”, thuhet në vendim.
Apeli po ashtu ka konstatuar se aktgjykimi i ankimuar është nxjerrë në kundërshtim me dispozitën ligjore të nenit 248, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 dhe paragrafi 2 të KPRK-së.
Tutje, sipas vendimit, nga procesverbali i shqyrtimit gjyqësor ka rezultuar se nuk ka qenë i ftuar dhe prezent i dëmtuari Sahiti, i cili nuk ka mundur të paraqes fakte dhe prova të cilat ndikojnë në të drejtën e tij.
“Po ashtu, aktgjykimi i ankimuar është i përfshirë edhe me shkelje tjera të dispozitave procedurale penale, nga neni 394, paragrafi 1, pika 1.12 lidhur me nenin 370, paragrafi 6 dhe 7 të KPPRK-së, për faktin se dispozitivi i aktgjykimi është i paqartë dhe në kundërshtim me arsyetimin e aktgjykimit”, thotë tutje vendimi i Apelit.
Ndryshe, në këtë rast të akuzuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” kanë qenë edhe Elmi Podrimqaku dhe Arben Nebihu, mirëpo me aktvendim të veçantë, gjykata e ka hudhur aktakuzën për të njëjtit për shkak të parashkrimit absolut të veprës penale.
Sipas aktakuzës së plotësuar më 2 mars 2020, Liridon Avdyli akuzohet se si punonjës në lokalin “Maroon” kishte shkuar tek shanku, ku ka qenë duke qëndruar klienti-tani i dëmtuari Kushtrim Sahiti dhe pa asnjë paralajmërim ose shkak, me dashje që t’i shkaktojë lëndime trupore, e kishte goditur të njëjtin me një bateri elektrike të policisë. Aty thuhet se nga goditja i dëmtuari Sahiti është rrëzuar për tokë, ku pastaj janë ofruar dhe 4-5 persona të tjerë, po ashtu punonjës të lokalit deri tani të pa identifikuar, të cilët thuhet se kanë vazhduar ta godasin të dëmtuarin Sahiti. Sipas aktit akuzues, nga goditja që i dëmtuari e merr nga i akuzuari Avdyli, pëson thyerje në anën e djathtë të sinusit frontal.
Më këtë, Liridon Avdyli akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 189, paragrafi 1, pika 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Gjithnjë sipas aktakuzës, me datë, kohë dhe vend të njëjtë, Elmi Podrimqaku dhe Arben Nebihi i kanë goditur të dëmtuarit Leutrim Morina dhe Kushtrim Sahiti në pjesë të ndryshme të trupit me shkop, ku me këtë rast iu kanë shkaktuar lëndime trupore.
Me këto veprime, të akuzuarit Elmi Podrimqaku dhe Arben Nebihi ngarkoheshin se kanë kryer veprën “Lëndimi i lehtë trupor ” nga neni 188, paragrafi 1, pika 1.4 të KPRK-së, vepër kjo e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.