Xheneta Uka
Time Kadrija, Arben Gashi, Shpejtim Bulliqi, Blerta Deliu –Kodra, Fitim Uka e Qëndron Kastrati janë vetëm disa nga politikanët e Kosovës që gjatë vitit 2020 u përballën me virusin corona. Në një rrëfim për Insajderin, ata kanë treguar se si u përballën me izolimin dhe si e kaluan këtë sfidë.
Ndonëse Kosova ishte shteti i parafundit në Ballkan kur u lajmëruan rastet e para të të prekurve me Covid-19, mbi 51 mijë persona që nga 13 marsi kanë rezultuar pozitiv me këtë virus.
Virusi nuk zgjodhi mes të pasuri e të varfëritë, ai preku të gjitha shtresat duke mos kursyer as figurat e politikës në Kosovë.
Time Kadrija, Arben Gashi, Shpejtim Bulliqi, Blerta Deliu –Kodra, Fitim Uka e Qëndron Kastrati janë vetëm disa nga politikanët e Kosovës që gjatë vitit 2020 u përballën me virusin corona.
Në një rrëfim për Insajderin, ata kanë treguar se si u përballën me izolimin dhe si e kaluan këtë sfidë.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, kishte menduar se s`do të mposhtej ndonjë herë nga diçka, por pasi u prek me Covid-19 ndryshoi mendje. Ajo në rrëfimin për Insajderin thotë se pati një përballje jo të lehtë me këtë virus.
“Ndonjëherë mendojmë se jemi të pamposhtur, por ky virus na tregojë të kundërtën. Për mua ishte një periudhë jo e mirë e as e lehtë”, tha ajo.
“U desh të kem kujdes e të izolohem në mënyrë që të mos infektoja të tjerët. Andaj të gjithë kemi rekomanduar për kujdes”, ka thënë Kadrijaj për Gazetën Insadjeri.
Situatë aspakt të lehtë e ka pasur edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, pasi ishte infektuar me Covid-19. Ai ka thënë për Insajderin se virusi i kishte shkaktuar probleme në mushkëri e frymëmarrje.
“Përballja me virusin ka qenë përvojë shumë e keqe, ma keq nuk ka ku shkon”.
“Unë kam pas infeksion në mushkëria, problem me frymëmarrje, temperaturë mbi 40 kam pasur komplikime shumë të rënda”, ka thënë Gashi për Gazetën Insajderi.
Deputeti i VV-së, tash kryetar i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha për Insajderin se arriti ta kaloj virusin ndonëse është përballur me simptoma të rënda.
“Kam pasur problem me frymëmarrje, kokë dhimbje dhe dhimbje të jashtëzakonshme të muskujve të duarve dhe të këmbëve”, tha Bulliqi.
Izolimi dy javorë e kishte kaluar në fshatin e tij, ndonëse për Bulliqi kjo kohë ka qenë goxha e gjatë, pasi ai ishte i infektuar në periudhën e verës ku dita ishte më e gjatë.
“Ka qenë muaji korrik ku temperaturat ishin relativisht të larta, e gjatë tërë kohës kam qëndruar në shtëpinë në fshatin Lluga. Koha ecke shumë ngadalë. Fatmirësisht atje në fshat e kemi oborrin edhe gjatë kësaj kohe shpesh përveç pushimit dilsha edhe ecsha”, tha Bulliqi.
Për dallim nga Kadriajaj, Gashi e Bulliqi të cilët kishin probleme më të theksuara shëndetësore gjatë kësaj periudhe, disa politikanë tjerë e kaluan më lehtë këtë sfidë.
Deputetja e PDK-së Blerta Deliu, thotë se periudha e izolimit e kishte kthyer atë në të kaluarën, në kohën e luftës në Drenicë, ku ishte diskutuar çështja e ushqimit.
“Kjo periudhë ma ka kujtu kohës e luftës në Drenicë, kur kemi qenë të izoluar kur ka ndodhur ofenziva e Likoshanit. Më është rikthy ajo koha kur flitej çështja e ushqimit, edhe sikleti i prindërve se mos po mbesim pa ushqim. Ka me qenë një sfidë që nuk kam me harru”, është shprehur me tej Deliu-Kodra.
Sidoqoftë kjo periudhë e izolimit, Deliu thotë se i kishte shërbyer si një lloj pushimi, pasi tërë kohën e izolimit e ka kaluar me familje.
“Përveç që kemi kaluar kohë bashkë, kemi këqyrë filma, kemi diskutuar shumë, nganjëherë na ka ndodhur që të rrim deri natën vonë duke luajtur së bashku me fëmijë, kam lexuar disa libra”, tha ajo për Insajderin.
Deputeti i VV-së, Fitim Uka thotë se i kishte pasur të gjitha simptomat e Covid-19 por se e kishte kaluar pa shumë vështirësi të mëdha virusin. Derisa periudha e izolimit thotë se i shërbeu si vetë reflektim, kohë për familjen dhe si një mundësi për t’i bërë planet për të ardhmen.
“E kam shfrytëzuar këtë kohë me njohtë familjen ma mirë, për shkak se jeta dinamike nuk na ka lanë shumë kohë të jemi së bashku. Duke qenë së bashku i kemi shfletuar shumë kujtime të kaluarës, kemi fol për shumë ngjarje, e kemi kujtu sa e mirë është jetë në përgjithësisht”, ka thënë Uka për Insajderin.
Duke qenë se Uka është psikolog me profesion thotë se izolimi është i vështirë për njerëzit, por pavarësisht kësaj është mirë me pas periudha të tilla për me i njohtë secili të metat e personalitetit.
“Izolimi është jashtë zakonisht i vështirë, sepse jemi qenie të pangopura, përherë reflektojmë në atë mënyrë që çfarëdo që e kemi nuk na mjafton. Unë jam i bindur që secili prej nesh e ka mendu me pas një lloj pushimi nja një javë duke qëndruar në shtëpi, por momentin kur të vjen kjo periudhë menjëherë lakmojmë me lëvizë, me dal jashtë”, tha Uka.
Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, thotë se e kaloi lehtësisht koronavisusin pasi që ishte asimptomatik. Frika e vetme e tij thotë se ishte se mos infektonte të tjerët.
“Shqetësimi im i vetëm ishte se mos isha shpërndarës i virusit tek të tjerët e sidomos personave që ishin më të rrezikuar nga kjo sëmundje. Për shkak të kujdesit tim të vazhdueshëm dhe respektimit të të gjitha udhëzimeve, të gjitha kontaktet e mia përfshirë kolegët e familjen kanë rezultuar negative, dhe normalisht që për këtë isha shumë i lumtur”, tha Kastrati.
Kastrati gjatë izolimit, kishte zhvendosur zyrën e tij në hapësirat e shtëpisë.
“Gjatë periudhës sa isha pozitiv me virusin SARS-CoV-2, zyrën e kam zhvendosur në shtëpi dhe kam punuar prej aty, kurse të gjitha takimet që kam pasur i kam realizuar online”, tha Kastrati. /Gazeta Insajderi