Faton Dalladaku afaristi nga Prishtina thotë se u mashtrua edhe nga biznesmeni, Zekë Jasiqi.
I ftuar në InDoks, Dalladaku thotë se së bashku me biznesmenin Jasiqi dhe disa persona të tjerë po planifikonin të ndërtonin një qendër të pushimeve, por përfundoi i mashtruar.
“Pas 7-8 muajve kur isha duke punu një projekt, në atë tokë me një partner timin të Kosovës Zekë Jasiqi dhe vëllezërit Kelmendi që ishin nga Gjermania – donim të bënim një qendër të pushimeve. Gjeodeti shkon me bë, ndarjet sipas kërkesave qysh i kemi të parashkruara edhe thotë nuk më kanë dhënë qasje në Komunë thotë nuk është e jotja, nuk është e thirrur në emër tanin edhe unë e thirri e bëjë pak të madhe, thotë gabim ka qenë… mandej kur është bë 1 vjet një kontabilist i tyre tash unë nuk e di çfarë raporti kanë ai ma qon një imell të cilën e kam deponu në polici dhe thotë ti e ke hup tokën se nuk e ke bo, ankesën e shpagesave, direkt është pjesëmarrës në këtë mashtrim”, thotë ai derisa kupton se është mashtruar.
Biznesmeni Zekë Jasiqi akuzohet për marrje të fajdës e lidhje me grupe kriminale.
Dalladaku në rrëfimin e tij tregon rastet se si ky biznesmen, hynte dilte sa herë donte në zyrën e tij në Pejton.
“….madje ai tjetri Zekë Kransiqi ka pesë herë në ditë ka ardhë në zyre derisa u fut në pranga. Në mënyrën më të paligjshme krejt këto i kanë bë”, rrëfeu ai në InDoks.
Sipas dosjes së Prokurorisë i pandehuri, Zekë Jasiqi e kishte detyruar të dëmtuarin Faton Dalladakun t’ia paguajë një borxh i cili nuk kishte ekzistuar.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Z.J. në periudhën 2014-2015 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, me kanosje serioze kishte kërkuar nga i dëmtuari F.D të kryejë veprime në dëm të pasurisë së tij duke i imponuar një borxh që nuk kishte ekzistuar”, thuhej në komunikatën për media të Gjykatës së Prishtinës.
Më tej Prokuroria përshkruan se Zekë Jasiqi nuk i ishte përmbajtur marrëveshjes me të dëmtuarin Faton Dalladaku i cili kishte kërkuar borxh nga Zekë Jasiqi me qëllim që ta paguante ratën e fundit të shtëpisë që e kishte blerë.
Por, sipas Prokurorisë, i dyshuari Zekë Jasiqi më pas i kishte kërkuar të dëmtuarit Faton Dalladaku shumë të madhe të parave me kamatë mujore prej 1%, të hollat të cilat janë transferuar në emër të personit të tretë B.P.
Prokuroria pandeh se më pas shtëpia të cilën e kishte blerë Faton Dalladaku kishe kaluar në emër të Zekë Jasiqit.
Ndërkohë nga InDoks ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria për të bëmat e biznesmenit Zekë Jasiqi.
Të njëjtit thanë se hetimi ndaj Jasiqit është ende duke vazhduar. Pa dhënë detaje shtesë.
Zekë Jasiqi nuk ka dashur që të flas për InDoks, por avokati i tij, Tahir Rrexaj ka thënë që ai është i pafajshëm.
Dokumentari i plotë: Rrëfimi i Faton Dalladakut – Viktima e ‘Currit’, ‘Apexave’ dhe të tjerëve