Rrëfimi i fotografit shqiptar të ‘Al Jazeera’: Si i dokumentoi krimet e luftës në Kosovë përmes fotografive - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Rrëfimi i fotografit shqiptar të ‘Al Jazeera’: Si i dokumentoi krimet e luftës në Kosovë përmes fotografive

    Insajderi
    12 May 2024 - 20:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Fotografi shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Besnik Mehmeti, ka ndarë fotografi të dokumentuara të kohës së eksodit të kosovarëve në Bllacë gjatë vitit 1999 e fotografi të tjera si ato të ushtarëve të UÇK-së e kufoma nëpër shtëpi të kosovarëve pas luftës.

    Mehmeti, i cili sot punon në televizionin ‘Al Jazeera’, ka thënë se këto fotografi nuk i ka publikuar askund.

    “Mas luftës ka pasë njëfarë zhurme që secili ka pasë me thanë diçka. Por ndoshta as vetë s’kam qenë i gatshëm me folë për vete. Këto negativa i kam bajtë me vete kah kam shku, sa vendbanimet i kam ndërru. E kjo thirrja juaj ka qenë një moment kur kam thanë: Super do të mund t’i ndaj me dikë që e njoh edhe e di çfarë bën” – tha Mehmeti.

    Mehmeti para luftës së Kosovës ka fotografuar edhe protestat e shqiptarëve në Londër ku edhe u shpërngul pas vitit 1995.

    “Remember Srebrenica” ishte parulla që mbanin protestuesit në mes të Londrës në vitin 1998.

    “Kur filluan trazirat në Kosovë këta dolën në protestë. Shqiptarët kanë qenë aktiv, kanë bo atë presionin brenda mundësive të veta edhe unë e kam bo brenda mundësive të mia çka kam mujtë” – tha Mehmeti.

    Për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

    Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

    Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

    Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

    Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

    Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

    Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

    Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

    Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark