Në një shtet, sic është Republika e Kosovës, me vështirësitë që ka, ku shëndetësia shpesh bëhet sfiduese, historia e një vajze të posalindur nga Kosova, sjell dritën e shpresës që duket në fundin e tunelit, duke dhënë një shembull të mrekullueshëm të humanizmit.
Kjo është historia e një vajze të vogël, e cila në nëntorin e vitit 2022 lindi me një defekt të madh në zemër që rrezikonte seriozisht shëndetin e saj. Ajo u shpëtua nga ky fat i trishtë vetëm falë ndihmës së mjekëve të mëdhenj italianë.
Familja Leci nga Kosova përjetoi një ngjarje të papritur: vajza e tyre e vogël Libra me sindromën Down ka lindur me një defekt të rëndë në zemër. Kjo ishte një ngjarje tërësisht e papritur për familjen Leci, e cila befasoi tërësisht familjen!
Situata u komplikua menjëherë pas lindjes së vajzës, kur ekipi mjekësor në QKUK konstatoi problemet shëndetësore të Libras dhe vlerësoi se ajo kishte nevojë për ndërhyrje kardiokirurgjike jashtë vendit, në ndonjë qendër të specializuar brenda 3 muajsh. Por ky ishte vetëm fillimi i një rruge të gjatë për ta çuar në trajtimin vajzën e tyre të vogël.
Ishte janari i vitit 2023, kur Turqia kishte bllokuar ofrimin e shërbimeve shëndetësore për Kosovën, shkaku i borgjit që shteti i Kosovës i kishte spitaleve turke. Të gjendur në këtë situatë, prindërit kishin filluar me hulumtimin e mundësive për dërgimin e vajzës në Turki, dhe madje edhe kishin nxerr në shitje shtëpinë e tyre, për të mbuluar disa nga shpenzimet e shërimit.
Në këtë situatë të vështirë, familjes Leci ju rikthy shpresa për trajtimin e vajzës së tyre, vetëm kur ata ranë në kontakt me Karabinierët Italian që shërbejnë në Kosovë – MSU, të udhëhequr nga gjenerali Ruggiero CAPODIVENTO, i cili tregoi një ndjeshmëri dhe vëmendje të madhe ndaj rastit. Karabinierët e MSU-së kanë marrë menjëherë masa për të shpëtuar jetën e Libras së vogël, duke marrë dokumentacionin shëndetësor të bërë nga mjekët kosovarë, të cilët për shkak të operacionit delikat që kërkohej, kanë kërkuar që Libra të dërgohet në një qendër mjekësore të specializuar për kardiokirurgjinë pediatrike.
Karabinieri Nicola Lomuscio, asokohe me detyrë në Kosovë në MSU, kontaktoi doktorin specialist të kardiologjisë pediatrike nga Piacenza, Dr. Ettore Pedretti, dhe mundësuan që Libra të pranohet në Spitalin e Piacenza në Itali.
Pas tërë kontrollave shëndetësore, Dr. Pedretti, për shkak të delikatesës së rastit, e transferoi vajzën e vogël në Spitalin Universitar të Bolonjës, ku u krye me sukses operacioni i parë, nën kujdesin e Prof. Dr. Gaetano D. Gargiulo dhe stafi i tij i mrekullueshëm, duke bërë fashimin e arteries pulmonare. Sprova e vajzës së vogël nuk kishte përfunduar aty dhe lufta e saj me jetën vazhdonte tutje.
Në muajin tetor 2023, pas 7 muajsh nga operacioni i parë, Libra u rikthy në Itali, për intervenimin e dytë, një operacion kompleks dhe me rreziqe serioze, Bidirectional Glenn, që zgjati rreth 9 orë, dhe ku prindërit duhej të ishin të përgaditur për gjithcka.
Një ditë para fundit të vitit 2023, Libra arriti të kthehet në Kosovë me familjen e saj, duke pritur me jetë në sy vitin 2024. Operacioni u shpall një mrekulli për shkak të mundësive të pakta që kishte për sukses, por ishte një sukses i plotë.
Ajo që e bëri të veçantë këtë histori nuk ishte vetëm angazhimi i mjekëve italianë dhe karabinierëve, por ngrohtësia që shoqëroi familjen LECI në vështirësitë, duke krijuar një lidhje njerëzore që i shoqëroi gjatë gjithë këtij rrugëtimi të gjatë vuajtjeje, duke i bërë të ndihen të mbështetur të dhe inkurajuar dhe asnjehere vetëm. Në veçanti, Dr. Ettore PEDRETTI dhe infermieret shpesh kishin shumë kohë për të shpjeguar dhe mbështetur, duke krijuar një klimë të ngrohtë dhe mbështetëse për familjen, ndërsa familja Lomuscio krijoi një atmosferë familjare me prindërit e Peshores së vogël, duke vazhduar t’i inkurajonte dhe t’i siguronte se gjithçka do të shkonte mirë. Ka qenë mbresëlënëse vëmendja dhe solidariteti që kryetarja e bashkisë italiane të quajtur San Giorgio Piacentino (PC), Donatela Alberoni, tregoi ndaj familjes Leci në ato moment të vështira.
Jo vetëm që Libra u trajtua si një paciente, por ajo u trajtua si një anëtar i rëndësishëm i familjes së tyre. Ekipi mjekësor gjithmonë ishte i hapur për të dëgjuar shqetësimet dhe pyetjet e tyre, duke krijuar një bashkëpunim të mirëfilltë dhe të shëndetshëm në trajtimin e vajzës.
Prindërit Leci, në anën tjetër, shprehën mirënjohje të pafund për profesionalizmin dhe humanizmin e hasur në këtë periudhë të vështirë, për popullin italian, shkruan Gazeta Shneta
Kjo histori e suksesit rrëfen një shembull pozitiv të përpjekjeve të ekipit mjekësor italian për të trajtuar pacientët si dhe karabinierëve për të ofruar mbrojtje dhe siguri, me humanizëm dhe dashuri. Në kohën kur shëndetësia ka nevojë për më shumë se kurrë për një qasje të ndjeshme dhe të kujdesshme ndaj pacientëve, historia e familjes Leci dhe e vajzës së tyre Libra na bën të shpresojmë se humanizmi ka ende një vend thelbësor në kujdesin shëndetësor, dhe si e tillë, personifikohet ndjenja se humanizmi jeton përtej cdo kufiri. Eja Libra e vogël, jeta të pret!