Familjarët e Armela Segashit e cila ka humbur jetën në sulmin vetëvrasës në Mynih të Gjermanisë kanë folur për televizionin kosovar, Klan Kosova.
Vëllau i Armelës, Arbnori ka treguar për momentin kur e ka kuptuar se ka pasur të shtëna në Mynih.
“Armela ka dalë nga shtëpia rreth orës 18:00 pasdite ndërsa pak pas orës 18:00 kam kuptuar që ka të shtëna, gjë që më frikësoi. Jam munduar ta kontaktojë mirëpo nuk është lajmëruar në telefon, pastaj kam filluar të kërkoj”.
Ai ka thënë se kërkimi ka zgjatur për të rreth 12 orë, nga ora 18:00 pasdite deri në orën 6 të mëngjesit kur edhe kanë marrë lajmin tragjik.
“Në ora 6 në mëngjes ka ardhur lajmi tek prindërit për vdekjen e saj, fillimisht prindërit ishin në shtëpi me shpresë që do të kthehej prapë ndërsa unë isha nëpër spitale, stacione të Policisë duke kërkuar nëpër këto vende, nuk kam pasur konfirmim për vdekjen e saj”.
“Në 6 të mëngjesit kam qenë në stacionin e fundit të Policisë e edhe aty më kanë thënë që nuk ka vdekur, pastaj më ka lajmëruar babai më ka thirrë në shtëpi, kur edhe aty e kuptova qe ka vdekur”.
Ai ka treguar se Armela nuk ka qenë në qëndër tregtare ku edhe ka ndodhur sulmi.
“Vendin e kemi vizituar shpesh, kemi edhe familjarë që punojnë në qendrën tregtare, Armela nuk ka qenë në qendër tregtare brenda, ka qenë në një restorant përballë dhe ka qenë e shoqëruar me nje shoqe”.
Arbnori e ka përshkruar të motrën tashmë të ndjerë si një njeri plot jetë dhe plot dashuri ndërsa ka treguar se ka qenë duke vijuar shkollën në klasë të tetë.
Madje ai në Info Magazine të Klan Kosovës ka shpalosur edhe dëshirën e të motrës për të ardhmen.
“Dëshira e saj ka qenë të punoj në sektorin e kozmetikës”.
“Çdo ditë që kam përjetuar me të, ka qenë e rëndësishme për mua, ajo nuk ka qenë vetëm motra ime, ajo ishte edhe shoqja ime”.
Ndërsa, një familjar tjeter i Armelës ka njoftuar që arkivoli me trupin e tashmë të ndjerës do të arrijë në orën 12 pas mesnatës në Aeroportin e Prishtinës ndërsa varrimi do të bëhet nesër në oren 17:00 tek varrezat afër hekurudhës në Podujevë. /Insajderi.com