Rrëmujë në Konventën e Partisë Republikane, nuk mbështetet Trump - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Rrëmujë në Konventën e Partisë Republikane, nuk mbështetet Trump

    Insajderi
    21 July 2016 - 08:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Konventa Kombëtare e Partisë Republikane në SHBA u përshkua me rrëmujë, pasi senatori i Teksasit, Ted Cruz, nuk mbështeti të nominuarin e partisë për president,Donald Trump, duke shkaktuar reagimin me fishkëllima të publikut dhe thirrjet e tij: “Duam Trumpin”.

    Rrëmuja në natën e parafundit të Konventës nxori në pah edhe ndasitë e thella brenda partisë.

    Trump, manjat i pasurive të patundshme, ka mposhtur 16 rivalë gjatë zgjedhjeve paraprake, edhe pse nuk ka udhëhequr kurrë ndonjë zyrë politike.

    Cruz, ndërkaq, ka dalë në vendin e dytë, pas Trumpit.

    Të dy ata kanë pasur debate të nxehta gjatë fushatës, të cilat shpesh janë shndërruar në sulme shumë personale.

    Në Konventën që po mbahet në Kllivllend të Ohajos, Cruz e nisi fjalimin duke përgëzuar Trumpin për fitoren, por e përfundoi atë pa e mbështetur.

    “Për ata që na dëgjojnë, ju lutem mos qëndroni në shtëpi në nëntor. Nëse e doni vendin tuaj, nëse i doni fëmijët tuaj, flisni dhe votoni sipas ndërgjegjës suaj, votoni për kandidatët që doni, për ata që ju besoni se i mbrojnë liritë tona dhe i qëndrojnë besnikë Kushtetutës”, tha Cruz.

    Derisa ai ka mbyllur fjalimin, kamerat televizive kanë treguar Trumpin në një pjesë të sallës duke bërë me dorë – një lëvizje që shumë vëzhgues e kanë intepretuar si minim të Cruzit.

    Gjatë fushatës për nominimin e partisë, Trump ka përdorur fjalë fyese ndaj pamjes së jashtme të bashkëshortes së zotit Cruz dhe ka lënë të kuptohej se babai i Cruzit ka qenë me vrasësin e presidentit John F. Kennedy, para se të vritej në vitin 1963 në Dallas.

    CNN ka raportuar se zyrtarët e sigurisë është dashur të shoqërojnë gruan e Cruzit nga vendi ku po mbahet Konventa, pasi disa delegatë i kanë bërtitur.

    Rrëmuja la në hije fjalimin kryesor të mbrëmjes nga Mike Pence, guvernator i Indianës, të cilin Trump e ka zgjedhur si kandidat për nënpresident.

    Pence tha se Trump është mik i shtresës punëtore, i cili ka pnuar me këmbëngulje në botën e biznesit.

    Trump, në zgjedhjet e 8 nëntorit, do të përballet me rivalen demokrate, Hillary Clinton, e cila pritet të marrë nominimin e partisë javën e ardhshsme.

    Trump është zotuar se do të kufizojë hyrjen e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, se do të ngrejë mur në kufi me Meksikën dhe se do të marrë qëndrim më të ashpër kundër militantëve islamikë.

    Duke folur në Konventë, Newt Gingrich, ish-kryesues i Dhomës së Përfaqësuesve, tha se terroristët islamikë po bëjnë luftë kundër Perëndimit dhe përmendi sulmet e fundit terroriste në Nicë, Paris dhe Bruksel.

    “Le të jemi të qartë: Donald Trump ka të drejtë. Ne jemi në luftë me islamistët radikalë. Po e humbim luftën. Dhe, duhet ta ndryshojmë kursin për ta fituar atë”, tha Gingrich.

    Konventa Republikane, më herët, është zbehur nga akuzat se gruaja e Trumpit, Melania, ka bërë plagjiat pjesë të një fjalimi që ka mbajtur gruaja e presidentit aktual, Barack Obama, më 2008./REL


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark