Sipas të një raporti të dalë dje, rreth 1 milion llogari të gjigantit Google goditen nga ‘malware’, ose software që ka qëllim të nxjerr jashtë funksionit kompjuterët apo smartfonët tuaj.
Lajmin e ka bërë të ditur kompania e sigurisë në internet Check Point, që sipas të cilës ky Malware, shkurt për ‘softuer keq-bërës’, është një program që përdoret për të prishur operacionin e një kompjuteri që quhet ‘Gooligan’, dhe infekton pajisje të ndryshme, duke vjedhur të dhëna nga Google Play, Gmail, Google Photos, Google Docs, G Suite, Google Drive, si dhe shumë shërbime të tjerë të Google.
Kjo goditje malware mendohet të jetë më e madhja që ka pësuar ndonjëherë kompania Google, shkruan Techsot.
Google i është përgjigjur lajmit duke deklaruar se nuk dihet nëse kjo malware ka vjedhur të dhënat e përdoruesave.
“Motivimi i këtij malware është të promovojë aplikacione të ndryshme me pagesë, dhe jo për të vjedhur”, ka thënë Google.
Sipas TechSot.Al, malware është një lloj programi që funksionon si një kalë troje. Kjo do të thotë se programi maskohet si një program i rregullt, dhe përdoruesi nuk pikas asgjë, por në prapa-skenë ky program bën dëme të ndryshme, që në shumicën e rasteve nuk kuptohet asnjëherë nga vetë përdoruesi.
Sugjerohet të keni kujdes kur shkarkoni aplikacione në kompjuterët, dhe sidomos në celularët tuaj Android, të cilët janë më të dobët për sa i përket viruseve.
Ja disa këshilla që duhet të keni parasysh për të mos u ndikuar nga viruse:
Ndryshoni fjalëkalimet tuaja shpesh
Zgjidhni fjalëkalime të forta
Mos shkarkoni asnjëherë programe që gjeni në faqe të dyshimta
Keni kujdes kur përdorni kartat tuaja bankare në internet
Mos shkarkoni asnjëherë aplikacione nga burime të tjera përveç Google Play, apo Apple Store.