Pentagoni tha sot se ka lëshuar një sulm kundër një kampi trajnues në Somali, kundër luftëtarëve të Al-Shabaabit, duke vrarë rreth 150 militantë të këtij grupi terrorist.
Zëdhënësi i Pentagonit, kapitani Jeff Davis tha se sulmi gjatë fundjavës ndodhi rreth 200 kilometra në veri të kryeqytetit Mogadishu.
Davis tha se inteligjenca amerikane ka vlerësuar se grupi ishte duke u përgatitur për një sulm “të një shkalle të gjerë” dhe se përbënte kërcënim për forcat amerikane dhe ato të Unionit Afrikan në Somali.
Al-Shabaab, dega somaleze e Al-Qaedas, i ka përshpejtuar sulmet terroriste gjatë javëve të kaluara, me qëllim të prishjes së procesit zgjedhor, që do të mbahet më vonë këtë vit, duke e minuar misionin ndërkombëtar paqeruajtës dhe njëkohësisht duke synuar rrëzimin e qeverisë somaleze, e cila është pro-Perëndimore.