Shuma e parave që paguhet në gjithë botën për mitmarrje (ryshfet) çdo vit është ndërmjet 1.5 trilion dhe 2 trilionë dollarë (një milion milion), apo rreth 2 për qind e prodhimit ekonomik global, ka thënë shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde.
“Korrupsioni ka efekt shumë të dëmshëm në ekonomi”, ka thënë Lagarde, duke shtuar se ai ndikon në më pak shpenzime për edukim, shëndetësi dhe shërbime të tjera, të cilat janë në mënyrë joproporcionale të nevojshme nga të varfërit.
Këto komente shefja e FMN-së i bëri përmes një letre të hapur, të publikuar dje, një ditë para fillimit të samitit kundër korrupsionit në Londër.
Më tutje ajo shkruan se vlerësimet enorme të pagesave të mitmarrjes ilustrojnë pse abuzimi i tillë i detyrës publike për përfitime private “dëmton besimin në qeveri dhe gërryen standardet etike të qytetarëve”./rel