73 për qind e qytetarëve të Kosovës janë detyruar që të kërkojnë tretman mjekësor në klinika private meqë të njëjtin shërbim nuk mund ta marrin në institucionet publike të Kosovës.
Kështu thuhet në raportin “Korrupsioni në Institucionet e Kujdesit Shëndetësor Publik në Kosovë” të publikuar sot nga Lëvizja FOL.
Furtuna Sheremeti e cila e prezantoi këtë hulumtim, tha po ashtu se në institucionet shëndetësore ka korrupsion, porse vetëm dy për qind e respondentëve të hulumtimit kanë raportuar rastet e ryshfetit në organet relevante.
Sipas saj, hulumtimi i cili është mbështetur nga Fondi Kanadez për Nisma Lokale, ka gjetur se meshkujt janë më të prirur për të dhënë ryshfet sesa femrat.
Ambasadori i Kanadasë në Kroaci, jorezident për Kosovën, Daniel Maksymiuk, ka thënë të jenë i kënaqur që ka ndihmuar në realizimin e projektit, meqë shëndetësia prek interesant ditorë të qytetarëve.
“Nuk dëshiroj të flas shume për korrupsionin, por nga këndvështrimi im mund të them se Kosova është në një situatë të cilën e dimë. Qeverisja në Kosovë nuk është në nivelin e perfeksionit dhe këtë ata e dinë”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, drejtuesi i organizatës FOL, Petrit Zogaj, ka thënë se në ato vende ku ka probleme të mëdha politike, “shëndetësia dhe gjyqësori mbeten në rend të dytë e të tretë.”/Insajderi