Rrëzohet një avion në Filadelfia – Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Rrëzohet një avion në Filadelfia

    Insajderi
    01 February 2025 - 08:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një avion transporti u rrëzua në Filadelfia të premten rreth 30 sekonda pasi u ngrit, duke dëmtuar disa shtëpi në një kryqëzim të ngarkuar të qytetit. Gjashtë persona ishin në bordin e avionit, tha Administrata Federale e Aviacionit. Rrëzimi i avionit tronditi banorët dhe ndodhi dy ditë pas përplasjes së një helikopteri ushtarak me një avion civil në Uashington.

    “Gjithçka që dëgjuam ishte një zhurmë e fortë dhe nuk e dinim nga po vinte. Pas pak pamë shtëllungën e madhe të tymit”, tha Jim Quinn, banor i një lagjeje të qytetit afër zonës ky ndodhi aksidenti.

    Shpërthimi ndodhi më pak se 4.8 kilometra nga aeroporti verilindor i Filadelfias, i cili shërben kryesisht për avionët e biznesit dhe fluturimet çarter.

    Avioni “Learjet 55” u zhduk nga radarët pak kohë pas ngritjes nga aeroporti në orën 18:06 dhe pasi arriti në një lartësi prej 487 metrash. Avioni po udhëtonte drejt qytetit të Springfildit në Mizuri dhe ishte i regjistruar në pronësi të kompanisë “Med Jets”, sipas faqes së internetit “Flight Aware”, që merret me gjurmimin e fluturimeve.

    Përplasja vjen dy ditë pas katastrofës më vdekjeprurëse të aviacionit në vend në pothuajse 25 vjet. Një avion i kompanisë “American Airlines” me 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit u përplas në ajër të mërkurën mbrëma në Uashington me një helikopter të ushtrisë amerikane me tre ushtarë në bord. Nuk kishte asnjë të mbijetuar nga ky aksident.

    Guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro tha se ai ka ofruar të gjitha “burimet e shtetit për të reaguar ndaj aksidentit në Filadelfia”./VOA/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark