Katër persona kanë rrahur brutalisht dy persona në mëngjesin e 7 shtatorit në afërsi të një diskoteke në zonën industriale në Prishtinë. Dy viktimat u bënë për spital, njëri prej tyre pësoi lëndime të rënda. Ndërkohë të dyshuarit u arrestuan, përkatësisht iu caktua masa e paraburgimit.
Viktima në këtë rast është një mërgimtar, i cili ndodhet në spital dhe akoma nuk është deklaruar për rastin, për shkak të gjendjes.
Të dyshuarit siç raporton Sinjali janë Jeton Mustafa (22), Përparim Gashi (33), Malsor Mustafa (20) dhe Pajtim Hoxha (34), ndërsa tashmë ka siguruar edhe fotot e tyre.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se pas një mosmarrëveshje brenda diskotekës me viktimën, të dyshuarit dalin para hyrjes së diskotekës, ku e presin derisa i njëjti të dalë jashtë.
Në momentin kur viktima del nga diskoteka, katër të dyshuarit e përcjellin dhe e godasin me mjete të forta (tulla) në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë e këtyre goditjeve, i riu ka pësuar lëndime të rënda trupore, thuhet në arsyetimin e Prokurorisë në kërkesën për paraburgim.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor”.