Komuna e Prishtinës ka mbyllur të martën konkursin për pranimin e fëmijëve në çerdhet e qytetit. Sipas Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, këtë vit në institucionet parashkollore pritet të regjistrohen 443 fëmijë.
Krahasuar me vitin e kaluar, në institucionet parashkollore ka vend për 63 fëmijë më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Zëdhënësja e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, Ariana Ismaili, ka thënë se të drejtë regjistrimi në këto institucione kanë vetëm fëmijët e prindërve që jetojnë në Prishtinë dhe se të gjitha kriteret janë ë njëjta për çdo qytetar të Prishtinës.
“Pranimi I fëmijëve në IP bëhet në bazë të numrit më të madh të pikëve totale që merr një kandidat bazuar në kriteret e specifikuara sipas kategorive. Të gjitha këto kritere janë të pranueshëm nga ana e prindërve dhe nuk kemi ankesa”, ka sqaruar ajo.
Hapja e çerdheve të reja në Prishtinë ka qenë një prej premtimeve kryesore të Shpend Ahmetit në fushatën elektorale. Megjithatë, kërkesa e prindërve për të regjistruar fëmijët e tyre në cerdhet publike vazhdon të jetë më e madhe se sa kapacitetet aktuale./Insajderi.com