Një garë me dronë po zhvillohet në një magazinë në Silicon Valley. Pjesëmarrësit po konkurojnë në një sport të ri të teknologjisë së lartë, i cili vazhdon të zgjerohet në botë.
“Gara me dron është si të jesh në kabinën e një avioni, duke fluturuar me një shikim tre-dimensional me pilotët e tjerë, në ajër. Dhe ne mund të bëjmë gjëra që janë vërtetë të rrezikshme, si përplasjet në ajër, manovrimi në hapësira të ngushta dhe përplasje të tjera pa lënduar njeri. Kështu që është një gjë e bukur, emocionuese, e zhurmshme dhe krejtësisht e sigurt,” thotë Ken Loo, pjesëmarrës në garë.
Pilotët drejtojnë dronë të posaçëm nëpër këtë korsi me pengesa, me një shpejtësi deri në 96 kilometra në orë.
Ata përdorin syze përmes të cilave ata mund të shohin nga perspektiva e dronit që ata drejtojnë.
“Pasi t’i vësh syzet, praktikisht ndjeheni sikur jeni pjesë e dronit. Pra, ju mund të ndjeni dallimin kur rrisni shpejtësinë, mund të ndjeheni sikur vërtet po fluturoni,”thotë Colby Curtola, pilot droni.
Pilotët amatorë gjejnë vende unike për gara me dronë, si kjo zonë me trena të braktisur në jug të San Franciskos.
Për shumë pilotë, gara me dron është një pasion i tyre. Ata shpenzojnë shumë orë në modifikimin e dronëve të tyre me pjesë të reja ose ndërtimin e tyre nga e para.
Disa thonë se ata kanë shpenzuar më shumë se 10 mijë dollarë për pjesë të ndryshme të dronit si motorët, bateritë dhe kamerat.
Për të konkurruar, ju duhet një dron i shpejtë, reflekse të shpeja, koordinim të mirë të syve me lëvizjet e duarve, por kjo nuk është e gjitha.
“Është gjithashtu e rëndësishme të keni durim gjatë manovrimit në pista dhe të mos keni tension kur përplasni dronin. Kjo është një gjë e vështirë kur përpiqeni të tejkaloni kufijtë tuaj në drejtimin e dronëve në ajër,” thotë Larry Davis, pjesëmarrës në gara me dron.
Ajo që filloi si një konkurrencë miqësore mes të apasionuarve, tani është kthyer në një sport ndërkombëtar.
Në mars, Dubai organizoi garën botërore, Drone Prix, ku çmimi për fituesin ishte 250 miijë dollarë. Garën e fitoi 15-vjeçari nga Anglia, Luka Bannister.
“Askush nuk e priste që gara me dronë do të kishte kaq shumë popullaritet në më pak se një vit”, thotë Sahand Barati, drejtor i Shoqatës Ndërkombëtare të Garave me Dronë.
Kjo shoqatë njoftoi kohët e fundit nënshkrimin e një marrëveshjeje me kanalin televiziv ESPN për të transmetuar drejtpërdrejt në internet garat e ardhshme me dronë, por vëzhguesit thonë se organizatorët e garës duhet të përmirësojnë më tej përvojën e spektatorëve.
“Ata janë shumë të shpejtë, shumë të vegjël, dhe është e vështirë të ndjekësh dhjetë prej tyre duke garuar në të njëjtën kohë. Është e vështirë dhe konfuze të mbash sytë tek drejtuesi i garës, sidomos në rastet kur udhëheqësi i garës ndryshon shpesh,”thotë Patrick Egan, redaktor lajmesh.
Një tjetër organizator i garave me dronë, Drone Racing League, po përpiqet ta ndryshojë këtë sport përmes prodhimit të videove online.
Liga zhvilloi garën e saj të parë të madhe në stadiumin e ekipit të futbollit amerikan,Miami Dolphins.
“Sjellja e çdo sporti të ri shoqërohet me sfida. Dhe ne po përpiqemi ta bëjmë këtë sport emocionues dhe popullor në një mënyrë sa më të kuptueshme për audiencën,”thotë Nick Horbaczewski, drejtor i Ligës së Garave me Dronë.
Një sport që lejon njerëzit të ndjejnë të veçantën e fluturimit pa lëvizur nga ulëset e tyre.