Qeveria e Kosovës shpesh krenohet se ka rritur buxhetin shtetëror, por në realitet kjo rritje nuk reflekton përmirësimin e mirëqenies së qytetarit. Përkundrazi, në shumë raste, ajo ka kontribuar në varfërimin e tij.
Shkruan: Kenan Gashi
Rritja e buxhetit nuk nënkupton domosdoshmërisht krijimin e stabilitetit ekonomik apo social për qytetarët. Kur fondet e buxhetit nuk shpërndahen në mënyrë efikase dhe të drejtë përmes projekteve konkrete që adresojnë nevojat e tyre, ato mbeten të papërdorura ose keqpërdoren nga institucionet.
Paratë e mbledhura nga taksat dhe kontributet e qytetarëve duhet të kthehen tek ata në formën e shërbimeve më të mira publike, investimeve në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe projekte zhvillimore që rrisin standardin e jetesës. Nëse këto mjete grumbullohen vetëm për të treguar një buxhet më të madh në letër, pa ndikim real në jetën e përditshme të qytetarëve, atëherë qeveria ka dështuar në misionin e saj për të shërbyer për popullin.
Për një qeverisje të drejtë, rritja e buxhetit duhet të jetë e lidhur me transparencën dhe me shpërndarjen e barabartë të burimeve për zhvillimin e komuniteteve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së çdo qytetari. Përndryshe, ajo mbetet vetëm një shifër, që nuk pasqyron mirëqenien reale të shoqërisë.