
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka bërë të ditur se janë shfaqur pasojat e para pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe liberalizimit të tregut për furnizim me energji elektrike.
Sipas një komunikate për media, DhTIK ka bërë të ditur se sipas të dhënave të fundit të prezantuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, çmimet e prodhimit kanë pësuar ngritje për 4,1%.
Sipas ASK-së, ngritjet më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (16,7%); shtypja dhe riprodhimi i mediave të incizuara (9,3%); prodhimi i veshjeve (6,7%); prodhimi i mjeteve motorike (të transportit), rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove (4,2%); prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve (2,5%); prodhimi tjetër p.k.t. (1,9%); prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës (1,6%); prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse (1,4%); përpunimi i produkteve ushqimore (0,8%); nxjerrja e xehes së metalit (0,3%);
Prodhimi i pajisjeve elektrike (0,3%); prodhimi i tekstilit (0,2%); prodhimi i produkteve të gomës dhe të plastikës (0,1%).
DhTIK kishte paralajmëruar se një rritje e tillë e menjëhershme e çmimit të energjisë, e kombinuar me procesin e liberalizimit të tregut, i cili u përcoll me shumë shkelje, do të reflektonte në rritje zinxhirore të kostove të prodhimit dhe, si pasojë, të çmimeve të produkteve për qytetarët.
Këto rritje e bëjnë edhe më të vështirë konkurrueshmërinë e bizneseve vendore dhe rrezikojnë kapacitetin e tyre për të ruajtur vendet e punës.
Prandaj, DhTIK kërkon nga institucionet përgjegjëse që të rishqyrtojnë politikat aktuale të çmimeve të energjisë dhe të marrin masa të menjëhershme për të mbrojtur bizneset dhe konsumatorët nga pasojat e rënda ekonomike.