×
  • Lajme
  • Lajme

    Rritja e pagave nga janari, vendimi mund të përfundojë në Kushtetuese

    Insajderi
    02 November 2024 - 11:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Vendimi i Kryeministrit Albin Kurti për rritje pagash nga janari, përkatësisht korriku, mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

    Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe profesorët e ekonomisë kanë tërhequr vërejtjen se kjo rritje nuk ka bazë ligjore dhe se është premtuar vetëm për “përfitime zgjedhore”.

    Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), dhe Mejdi Bektashi, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, kanë deklaruar se masa mund të përfundojë në Kushtetuese dhe se nëse Kushtuesja konstaton se ka shkelje ligjore, vendimi shfuqizohet dhe pagat mbeten në nivelin aktual.

    Sipas zotimit të Kurtit më 29 tetor, pagat do të rriten në dy faza – për 55 euro nga janari dhe për 55 euro të tjera nga korriku.

    Kurti tha se rritja e pagave do të bëhet me rritjen e nivelit të koeficientit për njësi, e jo të vetë koeficientit.

    “Duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, [niveli i] koeficientit do të rritet për 0.5 njësi, e pastaj nga korriku, 2025, edhe për 0.5 njësi të tjera. Pra, dikush që e ka koeficientin 5.6, në janar do ta ketë 6.1, kurse në korrik 6.6”, tha Kurti.

    Vlera e koeficientit, ndërkaq, do të mbetet sa është aktualisht – 110 euro.

    Për të përcaktuar pagën, niveli i koeficientit shumëzohet me vlerën e tij.

    Por, në nenin 42 të Ligjit për pagat e sektorit publik, ku caktohet edhe shuma financiare e koeficientit prej 110 eurosh, thuhet se “ndalohet çdo ndryshim në strukturën, komponentët apo nivelet e koeficienteve të pagave”.

    Mund të rritet vlera financiare e koeficientit nga 110 euro e lart, por ndalohen ndryshimet në nivelin e koeficienteve, që, sipas këtij ligji, janë nga 2 deri në 18.

    “Nuk ka nevojë të jesh as ministër, as jurist, por qytetar i thjeshtë… dhe nëse lexon nenin 42, kupton mënyrën se si është propozuar rritja… Qeveria rindërton një strukturë të re, duke u ofruar koeficient shtesë koeficienteve aktuale”, ka thënë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar në mbledhjen e Qeverisë më 30 tetor se në Projektligjin për buxhet është shtuar një dispozitë e re që e rregullon çështjen.

    “[Dispozita] mundëson rritjen e koeficientit në tabelën e Ligjit të pagave, duke filluar nga janari për 0.5 njësi dhe nga korriku edhe për 0.5 njësi tjera, për të kompletuar rritjen për një njësi për të gjithë të punësuarit në sektorin publik”, tha Murati.

    Në atë mbledhje të Qeverisë, ku foli ai, u miratua Projektligji për buxhetin për vitin 2025 – me vlerë prej 3.6 miliardë eurosh – i cili u dërgua për miratim në Kuvend.

    Deputetët duhet ta miratojnë atë më së largu deri më 31 dhjetor, për të hyrë në fuqi më 1 janar të vitit 2025.

    “Nëse Kuvendi e miraton këtë ligj me këtë dispozitë, është kundërligjore, pasi shkatërron strukturën, komponentët dhe nivelizimin e koeficienteve”, thotë Miftaraj.

    “Kjo nuk do të thotë se pagat nuk do të dalin me rritje dhe në kohë. Por, mbetet te partitë politike opozitare, grupet që i përcakton Kushtetuta, se a do ta dërgojnë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese apo jo”, shton ai.

    Për dërgimin e ndonjë ligji për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese ka dy mundësi, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

    E para – dhjetë a më shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës, brenda një afati prej tetë ditësh nga dita e miratimit, kanë të drejtë ta kontestojnë kushtetutshmërinë e çfarëdo ligji ose vendimi të miratuar nga Kuvendi, si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën e ndjekur.

    E dyta – brenda gjashtë muajsh nga hyrja e ligjit në fuqi, 30 a më shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës mund ta dërgojnë atë në Gjykatë Kushtetuese.

    Nëse masa për rritje pagash përfundon në Kushtetuese, Miftaraj thotë se ajo, brenda gjashtë muajsh, duhet ta vlerësojë ligjshmërinë e saj.

    “Nëse Gjykata, pas disa muajsh, vlerëson se vendimi është në kundërshtim me Kushtetutën, atëherë shfuqizohet në kohën kur e merr ajo vendimin dhe pagat kthehen në shumën e mëparshme”, shpjegon Miftaraj, instituti i të cilit monitoron sistemin e drejtësisë në vend.

    Sipas tij, mund të ndodhë edhe që Gjykata Kushtetuese të konstatojë që pagat të mbeten të njëjta, por t’i kërkojë Kuvendit që ta rrisë shumën monetare të koeficientit.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2023 ishte 730 euro, ndërsa neto rreth 630. Në sektorin privat, ndërkaq, është dukshëm më e vogël.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark