×
  • Lajme
  • Lajme

    Rritja e tatimit në pronë për bizneset, zmbrapset qeveria- e shtyu vendimin deri më 2026-ën

    Insajderi
    31 October 2024 - 10:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Qeveria Kurti ka vendosur të zmbrapset nga vendimi për zbatimin e normës tatimore progresive për pronat komerciale.

    Përgjatë mbledhjes së djeshme të Qeverisë, Ministri i Financave Hekuran Murati paraqiti Ligjin e Buxhetit për 2025-ën, shkruan Insajderi.

    Në elaborim të dispozitave të këtij ligji, Murati ndër të tjera bëri me dije se është future dispozita që ka të bëjë me shtyrjen e afatit për zbatimin e tatimit të normës tatimore progresive në pronar komerciale për vitin 2026.

    Vendimi u mor pa u jehuar nga ana e qeveritarëve, meqë është stër-kritikuar për shkak të dëmeve në xhep që mund t’ua shkaktojë bizneseve.

    Që prej janarit të 2025-ës, pritej rritja e tatimit në pronë për biznese deri në trefish.

    Gazeta Insajderi arriti të sigurojë një mostër të realizuar nëpër institucione prej katër rastesh që dëshmonte se sa dëmtohet një biznes në rast se zbatohet norma progresive në pronë, siç parashihej nga viti i ardhshëm.

    Në rastin e parë, një biznes që ka vlerë të pronës prej shtatë milionë eurove ka paguar faturë në vlerë prej 11,900 euro. Ndërkaq, në bazë të shkallës tatimore progresive, atij biznesi i bie që t’i paguajë 26,100 euro në vit.

    Në rastin e dytë, një biznes që ka vlerën e pronës prej 20 milionë euro, ka paguar 34 mijë euro tatim në pronë. Ndërkaq, me formën progresive të tatimit paguan 91 mijë euro.

    Ndërkaq, në rast se një biznes me vlerë të pronës 50 milionë euro ka paguar 85 mijë euro këtë vit, pritej t’i paguante 241,100 euro.

    Në rastin e fundit një biznes që ka paguar tatim në pronë 204 mijë euro për pronën në vlerë prej 120 milionë, nga tatimi progresiv pritej t’i paguante 591 mijë euro.

    Siç vërehej nga shembujt, barra tatimore pritej të rritej sidomos për pronat që kanë vlera më të larta. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark