Rimëkëmbja ekonomike e Evropës mbetet në rrugën e duhur, por e cenueshme ndaj daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian dhe administratës së re të Shteteve të Bashkuara, thanë të hënën zyrtarë të BE-së.
Brukseli ka rritur parashikimet për rritje ekonomike në Eurozonë në vitin 2018, por ka paralajmëruar se BE-ja si tërësi po lundron në “ujëra të turbullt”.
“Ekonomia evropiane është treguar e qëndrueshme ndaj goditjeve të shumta që ka pësuar gjatë vitit të kaluar”, tha komisionari për çështje ekonomike i BE-së, Pierre Moscovici.
“Me pasigurinë në nivele të tilla të larta, është më e rëndësishme se kurrë t’i përdorim të gjitha mjetet politike për të mbështetur rritjen”, shtoi ai.
Ekonomia në Eurozonën 19-anëtarëshe do të rritet për 1.6 për qind në vitin 2017 dhe për 1.8 për qind më 2018, ka thënë Komisioni Evropian në parashikimin dimëror ekonomik, shkruan REL.
Në parashikimin e bërë në vjeshtë, këto shifra kanë qenë 1.5, përkatësisht 1.7 për qind.