Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës ka reaguar ndaj Qendrës Klinike Universitetare lidhur me sic kanë thënë keqtrajtimin e Vahide Tashollit e cila para disa ditësh ishte lënë të linde foshnjën e saj në pllaka.
Përmes një komunikate për media RrGGK ka kërkuar hetim policorë për këtë “skandal” në klinikën e Gjinekologjisë.
“Kërkojmë nga Drejtoresha e Klinikës Gjinekologjike, Myrvete Paçarada, dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i QKUK-së, Curr Gjocaj, sqarim publik dhe transparent mbi këtë rast, masa disiplinore ndaj personave përgjegjës dhe aplikim të menjëhershëm të protokolleve të përmirësuara sa i përket trajtimit të pacienteve në këtë klinikë”.
Në këtë komunikatë ky grup kanë përmendur edhe një rast të ngjajshëm të vitit 2015, kur S.K., grua shtatzënë, kishte lindur foshnjën e saj në koridorin e Klinikës Gjinekologjike si rezultat i neglizhencës dhe keqtrajtimit të stafit mjekësor.
“Jemi të zhgënjyer me mungesën e përmirësimit të protokolleve klinike që nga atëherë, gjë që do të parandalonte përsëritjen e rasteve të tilla. Po ashtu jemi në dijeni se shkelje të tilla kanë ndodhur dhe do të vazhdojnë të ndodhin në spitale anembanë Kosovës, për derisa nuk merren masa serioze për ritrajnim dhe disiplinë në këto reparte”, thuhet më tej në komunikatë.