Rrjeti i OJQ-ve AVONET është penguar sot nga Policia e Kosovës gjatë përpjekjes për të realizuar një performancë brenda hapësirave publike të objektit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj.
Performanca ishte e organizuar në kuadër të një thirrjeje urgjente për drejtësi dhe transparencë, e cila kishte për qëllim ngritjen e shqetësimeve mbi dështimet e institucioneve të rendit dhe drejtësisë, pas ngjarjes tragjike të sulmit të 11 nëntorit në Ferizaj.
Në këtë sulm, disa qytetarë pësuan lëndime të rënda trupore, dhe performanca synonte të tërhiqte vëmendjen mbi menaxhimin e pasaktë të hetimeve nga autoritetet përgjegjëse. Një person u arrestua si dyshuar për sulmin, por më pas u shpall se ai nuk ishte i dyshuari i vërtetë, duke shkaktuar konfuzion dhe duke dëmtuar imazhin dhe dinjitetin e qytetarit të ndaluar, i cili u ndje i cenuar nga gabimi i pafalshëm i institucioneve.
AVONET shpreh shqetësimin e saj për ndikimin e këtyre gabimeve në besimin e qytetarëve në organet e rendit dhe drejtësisë. Performanca ishte një thirrje për veprime konkrete nga ana e institucioneve përgjegjëse për të siguruar që pasaktësitë e tilla të mos përsëriten, dhe që të drejtat dhe dinjiteti i qytetarëve të mbrohen me seriozitetin e duhur.
AVONET kërkoi një hetim të shpejtë dhe të plotë, si dhe përgjegjësi të qarta ndaj atyre që janë përgjegjës për këtë dështim, për të siguruar masa që do të parandalojnë incidente të tilla në të ardhmen. Vetëm në këtë mënyrë, sipas AVONET, mund të restaurohet besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe në forcat e rendit.
Rrjeti i OJQ-ve do të vazhdojë të monitorojë nga afër këtë rast dhe do të angazhohet për të siguruar një sistem të drejtë dhe të besueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.