Pagat e mësimdhënësve janë ekzekutuar sot nga Qeveria me kusht që orët do të zëvendësohen, por vetëm pak orë më pas SBASHK-u ka thënë se kjo nuk do të ndodhë.
Gazeta Insajderi
Skënder Gashi, anëtar i këshillit drejtues të SBASHK-ut, ka thënë orët e humbura gjatë muajit shtator për shkak të grevës nuk do të zëvendësohen.
“Ministria e Arsimit Arbërie Nagavci ka nxjerrë një vendim për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës, por ne do ta respektojmë kontratën kolektive, gjegjësisht nenin 34, të kontratës koletive të pikës 8, ku thuhet se orët mësimore gjatë grevës nuk zëvendësohen përveç nëse palët nënshkruese të kësaj kontrate arrijnë një marrëveshje të veçantë. Vendimi i zonjës Nagavci ka qenë vendim i njëanshëm, andaj ne orët nuk do t’i zëvendësojmë. Ne do ta respektojmë kontratën kolektive”, ka thënë Gashi, shkruan Klan Kosova.
Reagimi i SBASHK-ut erdhi vetëm pak orë pasi u ekzekutuan pagat e mësimdhënësve nga Qeveria.
Derisa, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se pagat që u janë ekzekutuar sot mësimdhënësve janë paradhënie për muajin shtator.
“Pas rritjes së buxhetit për arsim, kujdesit për të ruajtur normat e mësimdhënësve të cilët rrezikonin të mbesin pa punë dhe shumë politikave tjera të reja, Qeveria edhe sot ishte pranë mësimdhënësve duke u siguruar që të mundësohet ekzekutimi në paradhënie i pagave për muajin shtator”, tha Nagavci, shkruan Gazeta Insajderi.
Ajo tha se mirëpret konfirmimin e Komunave për listat e mësimdhënësve, njëkohësisht pranimin e Kalendarit të ri shkollor 2022-2023.
“Në bazë të kompetencave tona, si Ministri e Arsimit, kemi ndryshuar dhe plotësuar kalendarin e ri shkollor andaj presim bashkëpunimin e të gjithë akterëve, përfshirë prindërit në zbatimin e tij”.
Ndërkohë tregoi për humbjet e shkaktuara.
“Humbjet e shkaktuara nga greva 1 muajshe janë të mëdha, është humbur gjithsej 12% e mësimit, andaj duhet të angazhohemi të gjithë bashkë që këto humbje të kompensohen në masën më të madhe të mundshme”, tha tutje ajo, shkruan Gazeta Insajderi.
Derisa theksoi se “gjatë rishikimit të kalendarit shkollor, Ministria e Arsimit i ka kushtuar kujdes analizimit të gjithë faktorëve, përfshirë analizimit të përmbajtjes mësimore për gjysmëvjetorin e parë dhe të dytë, balancimit të periudhave mësimore, shmangies së mbingarkesës, lodhjes fizike e shtesës psikologjike për fëmijët”.
Por, duket se kjo nuk u ka bërë përshtypje Këshillit të Prindërve. Ata janë deklaruar kundër kompensimit të orëve gjatë të shtunave.
“Prindërit e deklaruar për Këshillin e Prindërve të Kosovës në shumicë absolute janë kundër zhvillimit të mësimit të shtunave – për kompensimin e orëve të humbura nga greva. Shumë prej tyre janë deklaruar me revoltë se as nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë”, thuhet në njoftimin e tyre, shkruan Gazeta Insajderi.
“Këshilli i Prindërve vlerëson se prindërit kanë plotësisht të drejtë të reagojnë në këtë mënyrë, për çka edhe kemi paralajmëruar qysh në fillim të grevës. Mësimi të shtunave jo vetëm që nuk i shërben kompensimit të orëve, por ashtu e dëmton edhe procesin mësimor për ditët e tjera të javës, për shkak të lodhjes dhe mërzitjes së fëmijëve. Këtu duhet shtuar edhe faktin shumë të rëndësishëm që me dhjetëra mijëra fëmijë në gjithë Kosovën gjatë fundjavave marrin pjesë në aktivitete e gara të ndryshme sportive e të artit, për çka Ministria e Arsimit, por edhe ajo e Kulturës dhe Sportit, duhet të kishin pasur konsideratë të veçantë”, thotë tutje reagimi i Këshillit të Prindërve.
Ndryshe, mësimi ka nisur nga e hëna, pas pezullimit të grevës nga Sindikata e Arsimit, pasi nuk u arrit marrëvesgje ndërmjet tyre dhe Qeverisë.
SBASHK ka konfirmuar që nëse kushtet e kërkuara nuk plotësohen dhe Ligji për Pagat nuk miratohet deri në janar, ata do t’i kthehen sërish grevës.
Tash pas ekzekutimit të pagave nga ekzekutivi dhe njoftimit se orët e humbura nuk do të ekzekutohen mbetet të shihet se cila do të jetë beteja e ardhshme mes Kurtit dhe Jasharajt.
Por, si nisën grevat?
Protestat e grevistëve kundër qeveritarëve nisën në maj të këtij viti, pasi nuk u morën parasysh kërkesat e tyre lidhur me kushtet e punës.
Që nga maji – deri më 13 shtator kur Kurti i takoi drejtuesit e sindikatave, ai ka heshtur totalisht përballë tyre.
Prej asaj kohe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka kërkuar nga 100 euro shtesë në muaj, derisa të miratohet Projektligji i Pagave që parasheh rritje, shkruan Gazeta Insajderi.
Pas propozimi prej 100 euro shtesë u injorua nga Qeveria e Albin Kurtit, BSPK ka vendosur të hyjë në grevë. Greva ka nisur nga 25 gushti, si paralajmërim i kamotshëm i sindikatave, nëse nuk plotësohen ato që kanë kërkuar.
Për kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykolli, dialogu social me Qeverinë ka shkuar duke u përkeqësuar.
“Kërkesat e sindikatave dhe shqetësimet e të punësuarve, që ndërlidhen me kushtet e punës, nuk po kuptohen sa duhet dhe si duhet nga Qeveria”, pati thënë ai muaj më parë, shkruan Gazeta Insajderi.
Me ligjin në Kosovë, dialogu social përfshinë të gjitha llojet e negocimit midis përfaqësuesve të Qeverisë, punëdhënësve dhe punëmarrësve, për çështje që lidhen me politikat ekonomike dhe sociale.
Për t’u ulur në tryezë bashkë, para një dekade është krijuar Këshilli Ekonomik Social, i cili përfshinë përfaqësues të të tria palëve.
Një takim prej këtyre palëve u mbajt, por po ashtu nuk doli asnjë rezultat pozitiv, shkruan Gazeta Insajderi.
Ndryshe, në grevë përpos mësimdhënësve, ishin edhe edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.
Kush mbeti për një muaj më së keqi? Dhe, pse pikërisht fëmijët?
Psikologë, sociologë dhe prindër në Kosovë janë shprehur të shqetësuar për gjendjen psikologjike dhe sociale të fëmijëve, të cilët për rreth një muaj ishin jashtë shkollave.
Greva, ka lënë jashtë institucioneve shkollave afro 300 mijë nxënës. Ndryshe, në Kosovë ka pasur edhe më herët greva nga mësimdhënësit.
E fundit ka qenë në vitin 2019, kur gjysmëvjetori i dytë i mësimeve ka nisur me tri javë vonesë nga pakënaqësia e mësimdhënësve me Ligjin për paga.
Orët e humbura nuk janë kompensuar asnjëherë, përkundër kërkesës së Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë./Gazeta Insajderi/