×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Rruga e vdekjes” – Mashtrimi i politikanëve që ia mori jetën pesë qytetarëve të Kosovës

    Insajderi
    29 July 2022 - 17:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Rruga e përgjakshme” ka marrë epitetin rruga Podujevë-Prishtinë, në të cilën që nga janari kanë vdekur 5 persona si pasoje e aksidenteve të rënda. Punimet për ndërtimin e kësaj rruge që kanë nisur qysh para gjashtë vitesh, pushteti i ri premtonte që do t`i përfundonte në vjeshtën e vitit 2021, por që nga ajo kohë, vetëm janë shtyrë për nga dy muaj afatet e dhëna publikisht nga Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu

    35 vjeçare dhe 36 vjeçar janë qifti nga Malisheva që humbën jetën mëngjesin e hershëm në aksidentin fatal që ndodhi në rrugën Podujevë-Prishtinë, pak metra larg rrethit që u vendos në kohë fushate në këtë rrugë.

    Në veturën e qiftit që po vinin nga mërgimi për pushime verore në Kosovë, ndodheshin edhe dy fëmijët 3-5 vjeçar që pësuan lëndime të rënda gjatë aksidentit, trajtimi i të cilëve po bëhet në qendrën emergjente në QKUK.

    Disa muaj më heret në një aksident tjetër të rëndë në kwtw magjistrale patën vdekur tre persona. Derisa aksidentet me të lënduar dhe dëme materiale janë po thuajse të përditëshme, shkruan Gazeta Insajderi.

    Punimet në zgjerimin e kësaj rrugë, që është njëra më të frekuentuarat në Kosovë, kanë nisur qysh para gjashtë viteve. Asnjëri nga segmentet e saj nuk kanë përfunduar plotësisht, derisa në vazhdimësi ka pasur ndërprerje të punimeve.

    Kanë kaluar katër muaj që nga premtimi i fundit i Ministrit Liburn Aliu, se rruga magjistrale Prishtinë – Podujevë pritet të përfundojë brenda dy muajve.

    Aliu madje tha se kjo rrugë nuk është projektuar si duhet dhe shpronësimet nuk janë bërë si duhet.

    “Rruga Prishtinë-Podujevë është rrugë e torturës dhe rrugë e rreziqeve. Është një anomali e përgjithshme çka kemi parë ne në Ministrinë e Infrastrukturës, rrugët nuk projektohen si duhet dhe nuk kryen shpronësimet si duhet. Kanë mbetur pjesa e finalizimit të rrethrrotullimit dhe eliminimit të rreziqeve, dhe pritet të fillojnë punimet gjatë muajit prill dhe një deri në dy muaj është afati i realizimit të këtyre punimeve”, tha ai.

    Nga ajo ditë jo vetëm që nuk u përmbush premtimi i Aliut, por asnjë punëtor nuk është parë të ketë dalur në terren.

    Gazeta Insajderi, ka kërkuar të dijë nga qeveria pse nuk kanë rifilluar punimet në këtë rrugë që është rruga më e frekuentuar, sidomos gjatë muajve të verës kur nga pika kufitare në Merdare vinë numri më i madh i bashkatdhetarëve për pushime në Kosovë.

    Ministria e Infrastrukturës, nuk ka treguar as se kur pritet që përfundimisht të përfunojnë këto punime e rruga të jetë e qarkullueshme normalisht.

    Përgjigje nuk ktheu as Policia e Kosovës, kur u pyet për statistikat e aksidenteve me të lënduar dhe aksidenteve me fatalitet që nga nisja e punimeve në magjistralen Podujevë Prishtinë.

    “Brenda 30 ditësh”, “brenda dy muajsh” – si po e llogaritë Ministri Aliu përfundimin e rrugës?

    Që nga gushti vitit të kaluar, pushteti i ri zotohej se në afat shumë të shkurtër do të përfundoj rruga Podujevë – Prishtinë.

    Pikërisht në atë kohe ministri Liburn Aliu e zëvendësministri Hysen Durmishi kishin dalur në terren, e nga kjo rrugë premtonin se punimet do të kryhet deri në fund të vitit 2021.

    Kjo rrugë ishte temë e duhur për premtimet zgjedhore.

    Meqë fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale veç pati nisur, pushteti nxori në terren edhe disa punëtorë të kompanive të kontraktuara. Me rikthimin e punimeve, me shpejtësi u vendosën dy rrethe (unaza qarkullimi).

    Kurse në muajin nëntor, kryeministri Albin Kurti shkoi në Podujevë për ta mbështetur Shpejtim Bulliqin në garën për kryetar të Podujevës. U ndal pak edhe aty ku një numër i vogël i punëtorëve rikthyen pak atmosferë pune aty.

    Dhe për dallim prej premtimit të gushtit të ministrit, kryeministri dha një afat tjetër se kur do të përfundoj rruga. Premtoi se kjo do të bëhet brenda vitit 2022.

    Punimet nuk patën asnjë përparim tjetër pas përfundimit të zgjedhjeve.

    Deputetët në një seancë kuvendi në fillim të këtij viti, kërkuan llogari nga Aliu lidhur me kohën se kur do të përfundonin punimet.

    Ministri Aliu, deklaroi në kuvend se për këtë projekt ka pasur anomali të shumta që e kanë vonuar realizmin e segmenteve të rrugës Podujevë-Prishtinë.

    Ai premtoi se porsa të përmirësohen kushtet klimatike, brenda 30 ditësh do të përfundojnë punimet e segmentit të dytë.

    “Kemi pritur t’i përfundojmë punimet brenda këtij viti, por për shkak të motit të ligë nuk mund të kryhen punimet. Në momentin që hapet mundësia me kushtet klimatike, brenda një 30-ditëshi mund të realizohen finalizimet e të gjitha punimeve. Ka pasur probleme të shumta të natyrave teknike edhe kontraktuale dhe ka probleme të tjera për të cilat duhet të merremi një për një dhe t’i zgjidhim. Po ashtu, ka probleme edhe te shpronësimet. Ka pasur tender për rrënimin e urës, por nuk ka pasur tender për t’u ndërtuar ura. Anomali të tilla e kanë përcjellë jo vetëm këtë projekt, por edhe projekte të tjera”, tha ai.

    As premtimi i muajin prill, i Ministrit Aliu se bë një afat tjetër dy mujor do të përfundoj rruga, nuk është përmbushur.

    Pas aksidentit të sotëm nuk ka reaguar askush nga qeveria e Kosovës. Por një ftesë për protestë është paralajmëruar.

    Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Podujevë, ka paralajmëruar protestë si shenjë revolte për zvarritjen e punimeve në rrugën Prishtinë – Podujevë.

    Këshilltarja e LDK-së, Tringë Sfishta, në mbledhjen e sotme ka thënë se kjo protestë do të mbahet të dielën, ku për 30 minuta do të bllokohet qarkullimi në këtë magjistrale.

    “Humbja e jetës së dy të mërgimtarëve sot është tragjike. Kjo rrugë lirisht mund të thirret rruga e vdekjes. Solidaritet për ata që pësuan, e protestë ndaj mosgatishmërisë për përfundimin e kësaj rruge. Ky shqetësim nuk duhej të merrej me ngjyrim politik. Në shenjë revolte për mos-finalizimin e këtij projekti, të dielën nga ora 12:00 tek rrethi në Siboc do të organizojmë protestë, duke bllokuar qarkullimin në këtë magjistrale. Ftojmë të gjithë kuvendarët, deputetët llapjanë dhe qytetarët tjerë, në këtë revoltë”, ka thënë Sfishta.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark