Një rrugë në komunën e Fushë Kosovës, po u paraqet telashe banorëve, e sidomos fëmijëve që shkojnë në shkollë. Opozita, ka hedhur akuza se përkundër gjendjes së mjerueshme të rrugëve, pushteti i Burim Berishës, po i jep prioritet rregullimit të oborrit të Komunës në vlerë prej 247.000.00 euro. Insajderi ju sjell detaje.
Komuna e Fushe Kosovës, me datën 21 gusht të këtij viti, kishte nënshkruar kontratë, për “Ndërtimin e rrethojës dhe parkingut me infrastrukturë përcjellëse në oborrin e komunës së Fushë Kosovës”.
Vlera e përgjithshme e kësaj kontrate ka qenë 247.000 euro.
Operatori ekonomik që e ka fituar këtë tender, është “Valdrini sh.p.k”.
Mirëpo, opozita në Fushë Kosovë, e kanë cilësuar si prioritet rregullimin e oborrit të komunës, ndërsa nga ana tjetër rrugët në këtë komunë thuhet se janë në gjendje të mjerueshme.
Rast konkret është rruga “Tahir Zemaj”, e cila si duket po u shkakton telashe banorëve të asaj pjese.
Rrugë e pa asfaltuar, shihet edhe në fotot e publikuara nga AAK dega Fushë Kosovë.
Sipas reagimit të tyre, kjo rrugë e cila kalojnë me qindra fëmijë për të shkuar në shkollë, është në gjendje të mjerueshme.
“Në gjendje të mjerueshne është Rruga “Tahir Zemaj” ku me qindra fëmijë çdo ditë e kalojnë këtë rrugë për të shkuar në shkollen fillore Daut Bogujevci. Ndërsa Kryetari i Komunës i jep prioritet rregullimit të oborrit të Komunës në vlerë prej 247.000.00 euro”.
Tutje thuhet se banorët kanë drejtuar ankesa në komunë por nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
“Banorët edhe pse kanë bërë ankesa për hallin e tyre, kanë hasur në në veshë të shurdhur për mos thanë në injorancë, ndërsa komuna ka asfaltuar me dhjetëra e dhjetëra oborre private të cilat do ti publikojm së shpejti”.
Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në komunën e Fushë Kosovës, rreth ankesave të banorëve dhe kur pritet të rregullohet kjo rrugë, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë ndonjë përgjigje./Insajderi.org/