
Pamje shqetësuese nga rruga “Tahir Zemaj” në Fushë Kosovë kanë mbërritur në adresën e Gazetës Insajderi, duke treguar gjendjen e rëndë të infrastrukturës. Kjo gjendje pritet të vazhdojë deri në muajin qershor, edhe pse ka kaluar afro një vit.
Asfalti i dëmtuar dhe gropat e thella të mbushura me ujë nga reshjet e shiut janë vetëm disa nga problemet që kanë raportuar banorët e kësaj zone.
Gjatë verifikimit të këtyre pamjeve, është e qartë se rruga ka një pamje të pashembullt, duke krijuar jo vetëm vështirësi për automjetet, por edhe rrezik për sigurinë e kalimtarëve.
Pavarësisht ankesave të shumta nga qytetarët dhe thirrjeve për ndërhyrje, gjendja e rrugës ka mbetur e pandryshuar për një periudhë të gjatë, afro 1 vit thonë banorët.
Ata janë shprehur të zhgënjyer dhe të frustruar nga mungesa e reagimit nga ana e autoriteteve komunale.
“Kjo rrugë është në këtë gjendje për një kohë të gjatë. Reshjet e shiut e kanë bërë edhe më të vështirë kalimin. Ne e kërkojmë ndërhyrjen e komunës, por asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje për këtë çështje”, tha një nga banorët e kësaj rruge tha për Insajderin.
Banorët e rrugës “Tahir Zemaj” kërkojnë nga autoritetet që të ndërmarrin masa urgjente për të përmirësuar gjendjen e rrugës dhe për të siguruar kushte më të mira për kalimtarët dhe automjetet.
“Po e shohim çdo ditë, gropat janë bërë shumë të thella dhe për çdo ditë kalon dikush që ka dëmtime në makinën e tij. Duket sikur askush nuk po e merr seriozisht këtë problem, dhe është vërtet shqetësuese”, tha një tjetër.
Ata janë të shqetësuar për pasojat që mund të sjellë ky infrastrukturë e dëmtuar, si për sigurinë e qytetarëve, ashtu edhe për pasojat që mund të shkaktojë në automjetet që kalojnë aty.
“Asnjëherë nuk janë marrë masa. Pas çdo shiu të madh, rruga bëhet e padukshme për automjetet, dhe është shumë e rrezikshme për të kaluar. Kam frikë se mund të ndodhin aksidente të rënda“, tha tjetri banor i shqetësuar.
“Do të intervenohet në qershor”
Në lidhje me gjendjen e rëndë të rrugës “Tahir Zemaj” në Fushë Kosovë, Gazeta Insajderi ka kontaktuar Komunën e Fushë Kosovës për të mësuar më shumë rreth masave që po merren për rregullimin e saj.
Besnik Osmani, nënkryetar i komunës, ka shpjeguar se rruga “Tahir Zemaj” është pjesë e një plani të ri të zgjerimit dhe përmirësimit të infrastrukturës për nevojat e banorëve të lagjes.
Sipas Osmanit, pjesa më e madhe e këtij plani është në fazë të avancuar, ku një segment i rrugës është përfunduar dhe janë realizuar investime në sistemin e kanalizimit dhe në mirëmbajtjen e rrugës.
Ai shtoi se pjesa tjetër e segmentit, ku gjendja është aktualisht shumë e keqe, do të përfshihet në një intervenim të planifikuar për muajin qershor të vitit 2025.
“Pjesa tjetër e segmentit ku gjendja është shumë e keqe do të intervendohet në muajin qershor, nëse kryhen të gjitha procedurat administrative me kohë për fazën e kontraktimit të punimeve pasi buxheti është siguruar dhe proceset administrative kanë filluar”, tha Osmani për Insajderin.
Ai kërkoi mirëkuptimin e banorëve të lagjes, duke shtuar se komuna është e angazhuar për përmirësimin e situatës.
“Ne shpresojmë në mirëkuptimin e banorëve të lagjes edhe për këtë periudhë kohore deri në intervenimin për sanimin e gjendjes,” tha Osmani.
Gazeta Insajderi do të mbetet në kontakt me banorët dhe komunën për të ndjekur veprimet që do të ndërmerren.