Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka hedhur kritika në drejtim të ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, për gjendjen e rrugëve e Kosovës.
Lekaj ka thënë se rrugët janë në gjendje të rëndë dhe se janë bërë rrugë të vdekjes.
“Më shqetësuese është sot se rrugët e Kosovës janë bërë rrugë të vdekjes dhe ta marrim rrugën për Gjilan. Nuk di se çka thotë ministri Liburn Aliu e zëvendësministri Durmishi dhe si mund të dalin e të krenohen me punën e tyre kur rrugët marrin jetë”, ka deklaruar ai.
“Nuk ka sinjalizim dhe është mjerim i Ministrisë përkatëse. Rruga Dollc-Gjakovë, që shtatë deputetë që vijnë nga Gjakova dhe është turp i kësaj Ministrie se si i ka lënë qytetarët e Gjakovës në ketë gjendje. Besoni se pas një muaji pasi e kanë bërë shtresën e parë, hajdeni dhe shkojmë ta këqyrim se në çfarë gjendje të mjerueshme e kanë lënë. Besoni se më kish ardhë turp me qenë ministër e me ndejt para deputetëve e me i lënë rrugët në atë gjendje”, tha Lekaj.