Treni të cilin Serbia, javën që lamë pas e kishte nisur nga Beogradi me destinacion Kosovën, nuk kishte arritur ta përfundonte rrugëtimin e tij deri në stacionin e Mitrovicës së Veriut, por u ndal në Rashkë të Serbisë.
Ani pse rrugëtimi i trenit ilegal kishte ngelur në gjysmë, ai ka nisur një “rrugëtim të gjatë” në mediet ndërkombëtare duke bërë xhiro në shumë vende të botës.
Ky tren, më i veçantë se të tjerët, përmbante mbishkrimin “Kosova është Serbi” në 21 gjuhë të ndryshme dhe shkrime të tjera në brendi të saj, ofenduese për shqiptarët.
Ashtu sikurse mbishkrimet në brendësi dhe në pjesën e jashtme të trenit, edhe raportimet e mediumeve më me renome të botës janë fokusuar tek reagimet nacionaliste dhe folklorike të udhëheqësve shtetëror serbë.
“Treni serb ngjall tensionet me Kosovën”, ishte titulli i gazetës së njohur franceze Le Monde, e cila thekson se “befasisht” ka qenë një tren që ka ngritur tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Një tren befas ka ngritur tensionet në mes të Serbisë dhe Kosovës, të shtunën dhe të dielën më 15 janar. Për herë të parë që prej luftës së viteve 1998-1999, e cila rezultoi në pavarësinë e rajonit ish serb me shumicë shqiptare, një konvoj ishte për t’u bashkuar me Beogradin të shtunën në qytetin verior të Kosovës, Mitrovicën, ku është një pakicë e rëndësishme serbe”, shkruan Le Monde.
Në të njëjtën “shinë” të raportimit ishte edhe gazeta e njohur amerikane, New York Times, e cila citon komentet e liderëve shtetëror serbë pas ndalimit të trenit nga autoritetet kosovare.
“Udhëheqësit serb akuzojnë Kosovën se ‘duan luftë’ pas kthimit të trenit”, është titulli i prestigjiozes amerikane, NYT.
New York Times më tej thekson se treni serb mund të jetë shkas i një gare ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit mbi dominimin në rajon.
“Treni i Serbisë me mbishkrime se ‘Kosova është serbi’, është ndalur në kufi me Kosovën, duke nxitur një krizë në Ballkan dhe duke përshkallëzuar një garë të mundshme mes Rusisë dhe Perëndimit mbi dominimin në rajon”, shkruan NYT.
Aventura e trenit ilegal serb vazhdoi nga Perëndimi në lindje, atje ku gazeta ruse Sputnik përshkruante një rrymë më ndryshe të situatës, duke u ndikuar nga raportimet e mediumeve serbe.
Me titullin: “Rritje tensionesh në Ballkan, Serbia akuzon Kosovën se “dëshirojnë luftë”, Sputnik në brendësi të tekstit cekë raportimet e mediumeve serbe se “treni u ndal për shkak se shqiptarët kishin përgatitur një sulm terrorist”.
“Në Ballkan ka shqetësime për rritje të tensioneve si dhe treni ishte kthyer për shkak të raportimeve se treni ishte cak i një sulmi të planifikuar”, shkruante Sputnik, të dielën.
Raportime për situatën e krijuar së fundmi në Kosovë dhe Serbi, me anë të trenit që ishte planifikuar nga ana serbe të krijohej një linjë e rregullt hekurudhore Beograd-Mitrovicë, ka pasur edhe në Azi e në Amerikë Latine.
Ndërsa deklaratat nacionaliste dhe luftënxitëse të kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq dhe presidentit, Tomislav Nikoliq, kanë ngjallur reagime të shumta edhe brenda shtetit serb.
Udhëheqës të Shoqërisë Civile dhe disa parti opozitare në Serbi i kanë cilësuar “të pavend e të papranueshme” këto deklarata. /Insajderi.com