RTK e quan të ngutshëm vendimin e AKP-së për lirimin e pronave - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    RTK e quan të ngutshëm vendimin e AKP-së për lirimin e pronave

    Insajderi
    24 May 2016 - 12:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) e ka marrë me shqetësim vendimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për lirimin e pronave në të cilat RTK ushtron veprimtarinë e vet mediale.

    Bordi i RTK-së konsideron se vendimi i AKP-së është i ngutshëm në kohën kur në Kuvendin e Kosovës, si themelues i Transmetuesit Publik, është duke u shqyrtuar plotësim-ndryshimi i Ligjit për RTK-në, ku përfshihet edhe çështja e pronës.

    RTK përballet me vështirësi financiare dhe për këtë arsye në Kuvendin e Kosovës po diskutohen mënyrat më të mira për gjetjen e financimit të RTK-së, prandaj vendimi i AKP-së vetëm sa e vështirëson edhe më tepër gjendjen financiare në Transmetuesin Publik.

    Bordi i RTK-së është i përkushtuar që të respektojë të gjitha vendimet e institucioneve shtetërore, por RTK si institucion publik, ngjashëm me të gjitha institucionet tjera, meriton të ketë një pronë dhe një objekt ku do të ushtrojë veprimtarinë sipas ligjit, duke pasur parasysh interesin më të lartë të opinionit publik.

    Bordi i RTK-së kërkon nga Kuvendi i Kosovës, si themelues i Transmetuesit Publik, që të gjejë zgjidhje për pronën e RTK-së dhe të kërkojë nga AKP që të shtyjë zbatimin e vendimit të saj, derisa Kuvendi të vendosë lidhur me këtë çështje, njofton RTK.

    Përkundër vullnetit të RTK-së, vendimi i AKP-së është i pamundshëm të zbatohet për shkak se transmetuesi publik nuk ka linjë buxhetore për pagesën e qirasë. Buxheti i RTK-së është pjesë e buxhetit të Kosovës për vitin 2016 dhe si i tillë, linja buxhetore për qira duhet fillimisht të aprovohet nga Kuvendi.

    Bordi i RTK-së kërkon nga Kuvendi që të iniciojë dialog të drejtpërdrejt ndërmjet RTK-së dhe AKP-së, për të gjetur një zgjidhje për pronën e RTK-së, thuhet ndër të tjera në reagimin e Bordit të RTK-së.

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark