×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Rumania thotë se një dron rus e shkeli hapësirën e saj ajrore

    Insajderi
    08 September 2024 - 14:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një dron rus e ka shkelur hapësirën ajrore të Rumanisë gjatë sulmeve të mbrëmshme në shtetin fqinj Ukrainë, tha anëtarja e NATO-s të dielën.

    Rumania i bëri thirrje Moskës ta ndalë këtë “përshkallëzim”.

    Incidenti ndodhi kur ushtria ruse kreu sulme ajrore “ndaj caqeve civile dhe infrastrukturës së portit” përgjatë lumit të Danubit në Ukrainë, tha Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë.

    Rumania i dërgoi avionët e vet luftarakë F-16 për ta vëzhguar hapësirën ajrore, si dhe i njoftoi aleatët e vet në NATO, tha Ministria.

    Autoritetet gjithashtu u dërguan mesazhe paralajmëruese banorëve në dy rajone lindore.

    Autoritetet rumune kanë nisur një hetim për këtë incident.

    Prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, Rumania ka gjetur copëza të dronëve rusë në territorin e vet në disa raste dhe më së voni në korrik të këtij viti.

    Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë i dënoi fuqishëm sulmet ruse në Ukrainë, duke i cilësuar ato si “të paarsyeshme dhe në kundërshtim të thellë me normat e ligjit ndërkombëtar”.

    Disa njerëz janë vrarë dhe plagosur si pasojë e sulmeve ruse në pjesë të ndryshme të Ukrainës gjatë natës, njoftuan zyrtarët ukrainas të dielën.

    Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, ushtria ruse kreu sulme natën e kaluar dhe mëngjesin e sotëm me katër raketa të telekomanduara nga rajoni Belgorod i Rusisë, si dhe me 23 dronë të prodhimit iranian, Shahed. /REL/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark